Akademiku Artan Fuga ka qenë i ftuar në Komisionin e Medias për të dhënë mendimet dhe kritikat në lidhje me amendamentet për ndryshimin e ligjit mbi Akademinë e Shkencave.
Qysh prej vitit 2019, ai ka reaguar kundër asaj që e ka quajtur rotacionin fars. Ai e sheh pozicionin e kryetarit të Akademisë të lidhur dhe në shërbim të politikës. Ndërkohë qëndrimi i Fugës është për një Akademi Shkencash në rolin e vet, për të mos u pajtuar me ndërhyrjet politike. Fuga u shpreh kundër riformulimit të ri për rizgjedhjen në funksion të kryetarit dhe grupit drejtues për dy mandate.
“Kryetari, zëvendës/kryetari, sekretari shkencor, drejtuesit e seksioneve, pra i gjithë ekipi drejtues të rizgjidhen, të kenë mundësi të rizgjidhen në funksion për dy mandate”.
Më tej, akademiku Fuga kërkoi që deputetët të tërheqin ligjin, i cili sipas tij ka ndërthënie. Pasi sipas tij pas moshës 75 vjeç akademikëve u hiqen të drejtat e detyrimet, vetëm kreut të Akademisë i shtohen.
“Anëtari i Kryesisë e ndërpret mandatin nëse mbush moshën 75 vjeç, kjo sipas amendamentit. Çfarë objektivash kërkohen të arrihen kur propozohet që kryetari të vazhdojë të qëndrojë në detyrë edhe pas moshës 75 vjeç, pra edhe katër ose tetë vite të tjera, pra deri 80-82 vjeç. Kërkoj të gjej objektivat dhe objektiva nuk ka”.
Sipas Artan Fugës ky ligj krijon pabarazi mes akademikëve dhe bie në kundërshtim me nenin 18 i kushtetutës thotë se të gjithë janë të barabartë para ligjit.
Top Channel