Ndërsa shumë vende të botës po përballen me valë të të nxehtit, njerëzit e qytetit më të madh të Afrikës së Jugut, Johannesburg janë zgjuar të mrekulluar nga dëbora.
Dëbora po bie për herë të parë në atë qytet në më shumë se një dekadë.
Afrikanët e Jugut po paralajmërohen të qëndrojnë ngrohtë pasi një front i ftohtë pritet të përfshijë pjesën më të madhe të vendit.
“Asnjë ndërprerje e madhe nuk është shkaktuar nga reshjet e borës në këtë fazë”, i tha BBC-së një zëdhënës i Shërbimit të Motit të Afrikës së Jugut.
Kushtet e motit të ftohtë pritet të vazhdojnë gjatë gjithë javës.
“Disa nga nxënësit dhe unë dolëm për të eksploruar… disa prej tyre s’kishin parë borë më parë, ndërsa të tjerët mendonin se po binte shi”, tha mësuesja e shkollës fillore Agnes Mideva.
Një tjetër qytetare tha për BBC se ajo udhëtoi nëpër dëborë rrugës për në punë dhe nuk kishte parë kurrë diçka të tillë.
“Ne jemi duke qëndruar ngrohtë brenda, kështu që jemi mirë. Dëbora ishte kudo, duke mbuluar fushat pranë lagjes sonë ishte vërtet e bukur për t’u parë”, tha ajo.
Ndërsa dimri ka nisur në hemisferën jugore, meteorologët po ndjekin me vëmendje zhvillimet.
Dëbora është raportuar në disa provinca, duke përfshirë Kepin Lindor, Mpumalanga dhe rajonin Gauteng, i cili përfshin Johannesburg dhe Soëeto.
Fermerët gjithashtu këshillohen që të sigurojnë strehim për bagëtinë e tyre gjatë periudhës së të ftohtit. Nuk është e qartë se çfarë roli ka luajtur ndryshimi i klimës në reshjet e rralla të borës.
Top Channel