Dr Klaus Schenk, kreu i sigurisë kibernetike i kompanisë Verimatrix, ka dhënë disa këshilla dhe “sinjale paralajmëruese” që tregojnë se diçka nuk shkon me një telefonatë nga numra të panjohur.

Ai thotë se disa fraza të caktuara duhet të alarmojnë personin e telefonuar pasi viti i kaluar ka parë një rritje të madhe të mashtrimit, shumica e të cili me origjinë nga rrjetet sociale, dyqanet online apo rrjetet e njohjeve të reja.

Monitorues të industrisë bankare në Britani llogarisin se mashtrime të tilla në 2021 kaluan shifrën e 1 miliardë paundë, ndërsa tentativa mashtrimi në rreth 1.3 miliardë paundë ishin parandaluar.

Një nga shqetësimet në rritje ishin mashtruesit e maskuar si shitës online, me skema vjedhjeje në rrjete si WhatsApp, me mashtrimin e njohur në Britani si “hi mum, hi dad”.

Schenk thotë se në telefonatat nga numra të panjohur duhen pasur kujdes rastet kur telefonuesi ju kërkon parapagim ose të zbuloni informacione personale.

Dr Klaus tha për rrjetin vendas The Sun: “Bëni kujdes kur telefonuesi kërkon pagesa paraprake apo që të jepni informacion personal”.

“Dyshimet tuaja duhet të nxiten edhe kur ju ofrohen mundësi përfitimi financiar apo ‘dhurata’, të cilat së bashku me teknikat e manipulimit emocional, funksionojnë në përfshirjen në mashtrim.

“Dyshime serioze duhet të keni kur ju kërkojnë të instaloni një aplikacion të caktuar në celular”, shtoi ai.

“Gjithashtu kur telefonuesi insiston për aplikacione të caktuara për të instaluar, apo ju kërkon detaje personale, duhet të bëni kujdes”.

Komentet e tij vijnë pasi eksperti britanik i financës Martin Lewis dha paralajmërime serioze për skema mashtrimi në emër të tij, me anë të instalimit të aplikacioneve të “investimeve” në celularë.

Njerëz të caktuar përdorin teknologjinë për të “devijuar ose shkatërruar” reputacionin e tij me qëllim mashtrimin e njerëzve online.

Reklama që qarkullon në rrjetin Facebook, duket se tregon Mr Lewis që jep mbështetjen për një skemë investimesh e supozuar se “garantohet nga  Elon Musk”.

Mesazhi i rremë thotë: “Projekti i ri i Musk hap mundësi të reja për qytetarët, si kurrë më parë”.

Por zëri dhe video janë të gjeneruar nga inteligjenca artificiale (AI) duke e bërë të duket mjaft realiste.

“Është e frikshme,” tha Lewis për rrjetin BBC. “Këta njerëz po përpiqen të shkatërrojnë reputacionin tim për të vjedhë para nga njerëz të dobët e naivë, diçka e përçmueshme që dëmton si financat e tyre dhe shëndetin mendor apo marrëdhëniet mes njerëzve”.

Lewis, rrjeti i të cilit ‘Money Saving Expert’ ka më shumë se 2 milionë ndjekës tha se më shumë duhet bërë për kontrollin e këtyre aktiviteteve dhe mbrojtjen e viktimave.

Grupi Meta, i cili zotëron Facebook, Instagram e WhatsApp, tha se po punon për të mbështetur viktimat dhe eliminimin e mashtrimeve në burimin e tyre.

FOTO GALERI
2/3
“Dyshime serioze duhet të keni kur ju kërkojnë të instaloni një aplikacion të caktuar në celular”, shtoi ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA