Pas tragjedisë që ndodhi mesditën e djeshme në plazhin e Vilë-Bashtovës ku u mbytën babai bashkë me 2 djemtë e tij të mitur, policia ka arrestuar sot Pëllumb Nikën, administrator në pjesën e plazhit.

34-vjeçari Pëllumb Nika akuzohet se nuk kishte marrë masa për sigurimin e jetës së plazhistëve, nuk garantonte shërbimin me vrojtues plazhi gjatë gjithë kohës, si dhe nuk kishte pajisur me sinjalizim dhe me kufizim me bova të hapësirës ujore, pjesën e plazhit që kishte marrë me qira nga bashkia Rrogozhinë.

Policia thotë se arrestimi i 34-vjeçarit u bë pasi nga veprimet hetimore të kryera në terren ka rezultuar se ky shtetas, në cilësinë e administratorit të parcelës së plazhit të marrë me qira nga bashkia Rrogozhinë, nuk kishte plotësuar kushtet e sigurisë sipas kontratës së lidhur mes operatorit ekonomik dhe Agjencisë Kombëtare të Bregdetit (kontratë e miratuar nga Ministria e Turizmit), dhe për pasojë janë mbytur në det, shtetasit E. H., 50 vjeç, R. H., 17 vjeç dhe M. H., 13 vjeç, banues në Tiranë.

Elvis Halilaj dhe dy fëmijët e tij 15 dhe 13 vjeç u rrëmbyen nga rrymat detare pranë grykëderdhjes së Shkumbinit. Ishin pushuesit ata që dhanë ndihmën e parë, ndërsa sipas dëshmitarëve, ambulanca shkoi me vonesë në vendngjarje.

Kishte dallgë, sapo erdhëm në mëngjes e pamë që kishte dallgë, fëmijët tentonin shumë të hynin, më erdhi e papritur se vetëm një moment pamë që një ndër personat që ishin aty ngriti dorën dhe në atë moment u turrëm, isha aty afër, ishte një me kajak, u turrëm dhe i kapëm, i nxorëm në breg i shtrimë, menduam se ishte një, kur pamë që ishin tre veta, ai babai ishte i bëshëm mezi e nxorëm, i nxorëm në breg dhe kush mundi nisi t’i bënte masazh”, tha njëri prej personave që u erdhi në ndihmë.

Nëse edhe më shpejt nëse do të kishte pasur ndihmë mjekësore edhe do të ishte evituar, pashë që u sensibilizua e gjithë shoqëria aty, por ishte e kotë”, tha një tjetër.

Policia e Durrësit në njoftimin zyrtar thotë se shërbimet e Njësisë Policore Detare ndërhynë por ishte tepër vonë. Në këtë plazh nuk ka rojë, tregojnë pushuesit, ndërsa në vend të kullës së vrojtimit është vetëm një skelet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA