​Masakra e Srebrenicës/ Kurti: Fqinjësia e mirë ndodh vetëm kur palët distancohen prej krimeve

10/07/2023 22:57

Në prag të 28-vjetorit të Masakrës së Srebrenicës, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se ajo i kujton ideologjinë çetnike që Serbia e përdori edhe në Kosovë, për çka apeloi për ndëshkim të kriminelëve.

Duke përmendur deklaratat e presidentit serb se gjoja Kosova është kundër dialogut, Kurti tha se fqinjësia e mirë arrihet vetëm kur palët nuk tremben nga distancimi prej krimeve.

Këto komente Kurti i bëri në një ceremoni përkujtimore në prag të 28-vjetorit të Masakrës së Srebrenicës, ku u shpreh po ashtu se fqinjësia e mirë ndërtohet duke vendosur drejtësi.

Sipas tij, themeli i paqes është dënimi i kriminelëve.

“Kjo mizori peshon rëndë edhe ndërgjegjen ndërkombëtare, edhe më shumë se çerek shekulli më vonë… Ne duam paqe, barazi dhe bashkëpunim mes shteteve dhe popujve në Ballkan, por themeli i asaj paqe është ndëshkimi i kriminelëve. Është e pamendueshme sesi edhe në shekullin 21 ka politikanë në rajonin tonë, që thonë se ‘ata që kërkojnë ndëshkimin e fajtorëve për gjenocid qenkan kundër dialogut dhe kundër fqinjësisë së mirë’. Përkundrazi, e vetmja fqinjësi e mirë zhvillohet duke dënuar krimet e duke vendosur drejtësi dhe kur palët nuk tremben nga distancomi prej krimeve”, tha ai teksa kujtoi edhe miratimin e Rezolutës për Srebrenicën në Kuvendin e Kosovës.

Duke thënë se gjenocidi në Bosnje nuk ka ndodhur nga brendësia por nga jashtë, ai theksoi se Serbia është përgjegjëse për krimet e kryera.

“Kur afrohet përvjetori i gjenocidit të Srebrenicës na kujtohen të njëjtat gjëra. Na kujtohet Mlladiçi, ideologjia çetnike që u përdorë fillimisht në Kroaci e Bosnje e më pas edhe në Kosovë. Na kujtohen ata 8 mijë e 732 burra e djem boshnjakë që nuk iu dha as më e vogla fije shprese për mbijetesë, e cila e masakroi pamëshirshëm dora e shtetit armik… Na kujtohet dhe na mundon fakti që kriminelët kurrë nuk u dënuan. Serbia nuk u mbajt asnjëherë përgjegjëse për krimet e kryera, për këtë gjenocid. Nga Qendra për të drejtën humanitare, e dimë që 4 mijë oficerë të armatës serbe luftuan kundër boshnjakëve dhe janë paguar e armatosur nga Serbia… Serbia është përgjegjëse pasi që në fund të fundit Millosheviç e ka nënshkruar marrëveshjen e Dejtonit”, tha Kurti derisa shtoi se ky gjenocid e rëndon edhe sot ndërgjegjen e ndërkombëtarëve.

E deputeti i Bosnje Hercegovinës, Shemsedin Mehmetoviç tha se nëser kur e gjithë bota demokratike do të bëjë homazhe kundër gjenocidit, do të jetë Serbia ajo që nuk do të bëjë një gjë të tillë. Derisa u shpreh se politika e Serbisë është që asnjëherë të mos e pranojë Kosovën.

Deputeti i Bosnje e Hercegocinës tha po ashtu se ndërkombëtarët duhet të hulumtojnë krimet gjenocidale në Srebrenicë dhe të dënojë kriminelët.

“Nesër, më 11 korrik, e tërë bota demokratike bënë homazh kundër gejnocidit. Por, do të ketë edhe të tillë që nuk do të bëjnë homazh. Ata të cilët sot e përkrahin Federatën Ruse dhe luftën ndaj Ukrainës. Kjo është Serbia, Aleksandër Vuçiç dhe Milorad Dodik, të cilët nuk e pranojnë Kosovën, Bosnje e Hercegovinën. Ata nuk na pranojnë neve si popuj. Pse? Për shkak të krimeve gjenocidale. Si do t’i pranojnë ata krimet që i kanë kryer në Bosnje dhe ndaj jush në Kosovë? Politika e Serbisë është që asnjëherë të mos e pranojë Kosovën, dhe që BE-ja të pranojë ‘Republikën Srbska’.Ata dëshirojnë që nga kryerësit e krimeve, të bëjnë viktimën… Gjenocidi i Srebrenicës është i dokumentuar aq mirë, i kemi dëshmitë deri në detajet më të vogla”, tha ai.

Ndërsa zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi tha se është detyrë e të gjithëve që të përkujtohet Masakra e Srebrenicës, në mënyrë që të mos humbet e vërteta dhe kombet.

“Srebrenica është zhdukje e planifikuar e një populli. Është e djeshmja jonë, e sotmja dhe e nesërmja jonë”, u shpreh ajo.

Ndryshe, sot deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë përkujtuar viktimat e Masakrës së Srebrenicës që kishte ndodhur 28 vjet më parë në Bosnje dhe Hercegovinë. Të zgjedhurit e popullit mbajtën një minutë heshtje në nderim të tyre, derisa edhe vendosën disa shamia të gjelbra mbi vendet e tyre që simbolizojnë pafajësinë e viktimave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA