Policia ka marrë masa të tjera pas ngjarjes së ndodhur në zonën e Fushë-Krujës ku persona të armatosur nga fisi Rraja kanë ushtruar dhunë fizike ndaj dy personave.

Kështu në një operacion të koordinuar me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe Autoritetin Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, policia thotë se gurorja që ndodhej 300 metra në distancë mbi fshatin Borizanë, në njësinë administrative Thumanë të bashkisë Krujë, me administrator Viktor Delia, është bllokuar.

Më tej, forcat blu bëjnë me dije se janë kryer edhe inspektime në nëntë banesa që dyshohet se janë dëmtuar nga aktiviteti i gurores. Pasi të bëhen verifikimet e plota për respektimin e distancës dhe të lejes së shfrytëzimit do merren dhe masat e tjera në vazhdim.

Gurorja e cila ishte në bashkëpronësi të fisit Rraja u kthye në mollë sherri, duke degjeneruar në dhunën fizike që u ushtrua ndaj Jashar dhe Bilbil Majës, banorë të fshatit Borizanë.

Ata dhe banorë të tjerë prej kohe ankoheshin se gurorja i shkaktonte dëme tek shtëpitë për shkak të shpërthimit të minave, ndërsa kishin bërë edhe denoncime në polici.

Ndërsa dy pjesëtarët e fisit Maja ishin ulur për të negociuar me inxhinierin e gurores në një bar kafe në afërsi të aksit rrugor Fushë Krujë – Thumanë, aty ndodhi edhe ngjarja e dhunës ku persona me mjete të rënda dhe të armatosur rrahën në mënyrë brutale dy kushërinjtë.

Policia i ka identifikuar personat që ishin pjesë e sulmit dhe ka arrestuar 8 prej tyre, ndërsa gjashtë të tjerë janë ende në kërkim. Katër janë pjesëtarë të fisit Rraja dhe dy miq të tyre.

Ndërkohë, Rrahman Rraja i zgjedhur në zonën e Krujës ka dhënë dorëheqjen si deputet, duke kërkuar edhe falje publike për rastin, ndërsa i ka bërë thirrje djalit të tij të dorëzohet në polici.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA