Ujëvara e Shëngjergjit është një ndër pikat turistike më të veçanta për tu vizituar, shumë pranë Tiranës.
Për një periudhë të gjatë kohe kjo mrekulli natyrore ka qëndruar e fshehur dhe njihej thuajse aspak nga vizitorët përveç banorëve të fshatit. Tashmë Ujëvara e Shëngjergjit është bërë kryefjalë e turizmit vendas e të huaj të cilët mund ta vizitojnë atë.
“Jemi nga Polonia, natyra këtu është shumë e bukur, njerëzit edhe më të mirë”, thotë një turiste.
“Është një vend që duhet të vini patjetër, çdo gjë është e qetë, e pastër, nuk ka zhurma”, u shpreh një turiste.
“Çdo gjë këtu është e mrekullueshme, është hera e parë e imja në Shqipëri një miku im donte të më tregonte vendin dhe më solli këtu. Vend fantastik”, tha një tjetër turist.
Për të shkuar tek Ujëvara, makina do ju shoqërojë deri në pjesën kryesore të rrugës, më pas do duhet të përshkoni për 10 minuta rrugicën e ngushtë me shtigje e bimësi të dendur. Aty do të gjeni edhe ndonjë Udhërrëfyes turistik, i cili do ju flas shumë për këtë zonë.
“Ujëvara e Shëngjergjit është rreth 23 meta e lartë, ka 2-3 ujëvara te vogla sipër. Uji këtu është i konsumueshëm, rrjedh nga Mali me Gropa, i cili është rreth 1847 metra mbi nivelin e detit. Ka turistë nga e gjithë bota, Gjermania, Izraeli dhe nga vendet arabe. Gjatë javës mund të kalojnë 1000-1500 turistë”, tha udhërrëfyesi.
Menaxherët e restoranteve përreth shprehen se zona ka lulëzuar që prej momentit që është zbuluar Ujëvara nga vizitorët. Ajo çka i tërheq më së shumti është natyra dhe cilësia e ushqimit.
“Që kur është zbuluar Ujëvara e Shëngjergjit, është rritur numri i turistëve. Vijnë, ushqehen, kemi mish keci që është i freskët, dhe baza ushqimore të tjera që janë gjithashtu bio. Aq më tepër që çmimet janë shumë të lira”, tha menaxheri.
Peisazhi piktoresk, shumëngjyrësh, me bimësinë e dendur dhe freskinë që sjell Ujëvara e cila furnizohet nga Mali me Gropa dhuron spektakël për syrin e çdokujt që e viziton.
Top Channel