Tirana është kthyer në një epiqendër koncertesh ku në muajt e fundit kanë performuar emra të njohur të muzikës botërore.

Edhe gjatë muajit korrik do të vijojë trendi i koncerteve por edhe i aktiviteteve në Tiranë, që kanë tërhequr edhe një numër të lartë turistësh.

“Ka një sërë eventesh të cilat janë jo vetëm në art dhe kulturë por këtë vit ne jemi dhe qyteti europian i sportit dhe ka dhe një numër të madh eventesh qe do ndodhin në fushën e sportit. Kemi kampionate të ndryshme, kemi ndeshje të ndryshme, do jetë një kompeticion boksi pas pak ditësh në sheshin Nënë Tereza, do jetë koncerti i Noizyt dhe Ricky Martin. Ka dhe aktivitete me dimensione më të vogla për fëmijët dhe moshën e tretë”, tha Mirela Koçollari, drejtoreshë e promovimit bashkia Tiranë.

Interesi gjithnjë e më i lartë i të huajve për të vizituar vendin tonë vihet re çdo ditë në rrugët e kryeqytetit e jo vetëm, që janë të mbushura me turistë. Për këtë vit pritet që të thyhet rekordi që u shënua në 2022-shin, me 7.5 milion vizitor të huaj.

“E them me bindje që këtë vit patjetër që do të thyhen rekorde, patjetër që do të ketë shumë më shumë se vitin e kaluar jo vetëm Tirana po e gjithë Shqipëria. Mjafton të shohësh turoperatorët sa të zënë janë, hotelet që janë gjithmonë plot, numri i Airbnb që janë gjithmonë në rritje, kështu që të gjithë janë indikator që turizmi, Shqipëria po funksionon dhe është kthyer në një destinacion absolutisht turistik”, shtoi Kocollai.

Turistët janë me nacionalitete nga më të ndryshmet. Por ajo që i bashkon është përshtypja e mirë që u lë vendi ynë.

“Jam nga Gjermania, hera e parë në Shqipëri. Tirana është një qytet i bukur dhe duam që ta eksplorojmë. Do të qëndrojmë 14 ditë në Shqipëri. Do vizitojmë edhe Beratin, edhe plazhet e Shqipërisë”, tha një turist.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA