Deputeti i Partisë Socialiste, Rrahman Rraja ka lënë sot mandatin e deputetit, pas dhunës barbare të ushtruar nga fisi Rraja ndaj banorëve të Borizanës, për shkak të konfliktit për guroren.

Me largimin e Rrajës nga detyra si përfaqësues i legjislativit nga radhët e Partisë Socialiste, karrigia e deputetit i kalon Arkend Ballës.

Balla vjen nga bota akademike dhe ruan pozicion drejtues në administratën e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, saktësisht si drejtor i regjistrimeve dhe shef i departamentit të IT.

Arkend Balla kandidoi i 16-ti në listat e PS për qarkun e Durrësit në zgjedhjet e 25 prillit, duke grumbulluar 2463 vota, të pamjaftueshme për të thyer hersin dhe siguruar një vend në Kuvendin e Shqipërisë. Me largimin e Rrajës, Arkend Balla ka konfirmuar se do ta pranojë mandatin.

Rrahman Rraja dorëzoi më herët gjatë ditës së sotme mandatin e deputetit, pas publikimit të një videoje në të cilën shfaqet i biri me anëtarë të tjerë të fisit Rraja teksa dhunojnë brutalisht dy kushërinjtë Bilbil dhe Jashar Maja. Duke iu kërkuar falje për zhgënjimin qytetarëve që e kanë votuar dhe kolegëve që e mbështetën, Rraja njoftoi tërheqjen nga jeta politike.

Po ashtu, i turpëruar nga incidenti, Rraja i kërkoi të birit, Rexhep Rrajës, që të dorëzohet në polici. “Zoti më dhëntë forcë të përballoj këtë dhimbje dhe të shlyej këtë turp që më la im bir”- u shpreh ndër të tjera në deklaratën e dorëheqjes ish-deputeti Rraja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA