Kryeministri Edi Rama shkarkon Bledi Çuçin nga detyra e ministrit të Brendshëm.

Lajmin e ka bërë me dije vetë kreu i qeverisë, dy ditë pas incidentit që tronditi opinionin publik në Borizanë të Krujës. Përmes një mesazhi në Twitter, duke falenderuar Çuçin për punën korrekte, Rama zbulon se do të propozojë Taulant Ballën për emërim në detyrën e ministrit të Brendshëm.

“Të hënën do t’i dorëzoj zyrtarisht Presidentit të Republikës propozimet e mëposhtme! Falenderoj ministrin Bledi Çuçi për punën e tij si gjithnjë korrekte edhe në këtë detyrë dhe uroj që ministri i ri i Punëve të Brendshme Taulant Balla, të çojë më tej përpjekjen tonë të palëkundur shtetndërtuese në çdo drejtim”- tha Rama.

Taulant Balla, i cili ruan detyrën e kreut të Grupit Parlamentar të PS-së që prej vitit 2017, është përfolur edhe më herët për ndërmarrjen e një pozicioni të tillë në momentet kur vendi është tronditur nga probleme të sigurisë së brendshme.

Degradimi i situatës me dhunën e ushtruar nga fisi Rraja ndaj banorëve të Borizanës, për shkak të konfliktit për guroren dhe mungesa e një reagimi të menjëhershëm të policisë, duket se kanë sjellë shkarkimin e Çuçit. Ndërsa Rama e ka patur më të thjesht gjetjen e një emri të besuar për zëvendësimin e tij.

Vendimi i kryeministrit vjen gjithashtu pas dorëheqjes së deputetit Rrahman Rraja dhe furtunës në Komisariatin e Krujës, ku fshehja, manipulimi i fakteve dhe dështimi për të trajtuar si duhet ngjarjen e Borizanës solli shkarkimin e të gjithë trupës policore. Më herët, në media qarkulluan informacione se policia në Krujë kishte lidhje me dhunuesit dhe 40 denoncime të bëra nga qytetarët nuk ishin marrë seriozisht, por preheshin në sirtarët e policisë.

Po ashtu, megjithëse u trokisnin në derë qytetarë të lënduar nga dhuna dhe përplasjet me familjarët e ish-deputetit Rraja, policia në vend të merrte masa i la dhunuesit të lirë me justifikimin se gurorja është me leje. Banorët e Borizanës gjithashtu u kërcënuan me arrestim dhe burg nga shefi i komisariatit të Krujës, nëse dilnin të protestonin për të bllokuar aktivitetin e gurores.

Lexo edhe: Rrahman Rraja dha dorëheqjen, mandati i deputetit i kalon Arkend Ballës

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA