Merr votëbesimin qeveria e re greke! Mitsotakis: Modernizimi shumëdimensional shkon përtej kufijve kombëtarë

08/07/2023 21:06

Me duartrokitje të fuqishme kanë pritur deputetët e partisë Demokracia e Re njoftimin e kryetarit të parlamentit që duke komunikuar rezultatet e votimit ka njoftuar se qeveria e re greke ka marrë votëbesimin pas një procesi treditor të deklaratave programore të saj.

Kabineti Mitsotakis ka marrë besimin e shumicës absolute nga 158 deputetë të grupit parlamentar të konservatorëve ,ndërsa kanë votuar kundër 142 deputetët e shtatë partive të tjera opozitare.

Debati treditor, i cili përfundon sot, besoj se e ka bërë të qartë se ka një plan konkret të caktuar – pajtohet ose jo dikush me të – gjithësesi ka një plan që ka si objektiv qendror: Greqinë europiane në vitin 2027. Është ajo që e kam përshkruar si një modernizim i shumëanshëm në çdo fushë të jetës publike, gjithmonë me fokus të vazhdueshëm te njerëzit dhe gjithmonë mbi bazën e rezultateve të matshme dhe të prekshme”– tha Mitsotakis.

Në fjalimin e tij para votëbesimit kryeministri grek ka deklaruar se zgjedhjet treguan që Greqia ka hyrë në epokën e ndryshimeve të mëdha, kur vendi po përgatitet me zhvillimin e shpejtë ekonomik të përfitojë shkallën e nivelit të investimit, të shlyejë kreditë e vendit, të reduktojë pabarazitë sociale me uljen e papunësisë në 8%, të kryejë reformat në sistemin e shëndetsisë, të përfundojë dixhitalizimin e plotë të shtetit , të zbatojë prioritetet në arsim, të përshpejtojë proceset në drejtësi dhe të vazhdojë zbatimin e një politike të jashtme të fuqishme dhe të përgjegjshme.

Modernizimi shumëdimensional shkon përtej kufijve kombëtarë”, vuri në dukje Mitsotakis dhe njoftoi se në fillim të javës së ardhshme do të sjellë në konsultim publik një projektligj me një nen që do të heqë të gjitha pengesat për votën e grekëve të diasporës në mënyrë që të gjithë ata qëjanë regjistruar në listat zgjedhore të marrin pjesë në jetën politike të vendit nga kudo që jetojnë.

Top Channel