Pronari i një mjeti lundrues është gjobitur në Ksamil pasi lundroi afërt perimetrit të sigurisë, duke cenuar sigurinë e pushuesve.
A. P., është ndëshkuar me 2 masa administrative, me vlerë totale 110 000 lekë të rinj, pasi përveç se ka lundruar në zonë të ndaluar gjithashtu nuk dispononte dokumentacionin e nevojshëm, në bordin e mjetit lundrues.
“Shërbimet e Policisë Kufitare Sarandë, në zbatim të planit të masave të hartuar nga Policia e Shtetit, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në zonat turistike, në veçanti për kontrollin e mjeteve lundruese, pas marrjes së njoftimit për një mjet lundrues gomone që po lundronte në zonë të ndaluar, në Ksamil, kanë ushtruar menjëherë kontroll dhe më pas kanë bllokuar mjetin lundrues gomone në SPK Port Sarandë”, sipas njoftimit të policisë.
Policia Kufitare do të vijojë kontrollet në të gjitha zonat bregdetare, ndaj apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese që të lundrojnë vetëm në zonat e përcaktuara për mjetet lundruese, që të mos cenojnë sigurinë e pushuesve.
Policia e Shtetit fton qytetarët që për çdo rast të shkeljes së zonës së sigurisë, nga përdoruesit e mjeteve lundruese, të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar reagim të shpejtë, në zbatim të ligjit.
Top Channel