Ambasadorja e SHBA-së në Maqedoninë e Veriut, Angela Aggeler ka shprehur dëshpërimin e saj për gjendjen në fushën e drejtësisë, që është ndër më të kritikuarat për shkak të pranisë së korrupsionit, ndikimeve politike, mungesës së efikasitetit dhe profesionalizmit.
Ambasadorja Aggeler ka thënë se përkundër përkushtimit dhe ndihmës së madhe financiare të qeverisë amerikane në dekadat e fundit për ngritjen e një sistemi funksional dhe të pavarur gjyqësor, rezultatet mungojnë.
“Fatkeqësisht, investimi ynë në progresin e gjyqësorit nuk dha rezultatin e pritshëm”, ka thënë Aggeler
“Kur bëhet fjalë për progresin në gjyqësor jemi të zhgënjyer. Gjatë tridhjetë viteve të fundit, ne kemi investuar gjysmë miliardë dollarë në programet e sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë, por nuk po shohim përmirësimet dhe reformat që prisnim nga një investim kaq i madh”, ka thënë ambasadorja amerikane Angela Ageler, në një intervistë për gazetën Kapital.
Ajo ka shprehur shqëtësimin e saj mbi praninë e korrupsionit jo vetëm në gjyqësor por edhe në fushat tjera
“Korrupsioni sistematik në të gjithë vendin në të gjithë sektorët po dëmton njerëzit e Maqedonisë së Veriut. Ju të gjithë meritoni një shoqëri, një gjyqësor, një qeveri, veprimet e së cilës janë transparente dhe ju shërbejnë juve – qytetarëve. Është një gurthemel i një demokracie të drejtë dhe funksionale. Kjo është ajo ku qeveria duhet të fokusohet, pavarësisht se cila parti është në pushtet”, është shprehur Aggeler.
Sipas saj, “gjyqësori duhet të jetë një sferë e pavarur, plotësisht e vetfinancuar dhe jopolitike e qeverisë. Udhëheqësit politikë këtë duhet ta duan dhe ju qytetarët duhet ta kërkoni”.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 20 qershor e kanë vendosur kryetarin e Komunës së Strugës, Ramiz Merkon, në listën e personave që u ndalohet hyrja në SHBA, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm.
“Merko shpërdoroi fondet dhe ndërhyri në proceset gjyqësore dhe të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut në institucionet dhe zyrtarët demokratikë të Maqedonisë së Veriut”, është thënë në njoftimin e Departamentit amerikan të Shtetit.
Kritika ndaj pushtetit gjyqësor dhe partive politike për ndërhyrjen në punën e gjyqësorit ka drejtuar edhe Bashkimi Evropian.
Ambasadori, David Geer ka paralajmëruar ardhjen në Shkup të një misioni për vlerësimin e punës së Këshillit Gjyqësor, organit më të lartë të drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, që zgjedh dhe monitoron punën e gjykatësve.
Por, Këshilli ka qenë në shënjestër të kritikave për zgjedhjen e kuadrove partiak në pozita drejtuese në organet e drejtësisë, por edhe për mos veprim në më shumë raste lidhur më vjetërsimin apo mos procedimin e rasteve që kanë të bëjnë me zyrtarë të lartë shtetëror.
Top Channel