Mitsotakis paraqet synimet e qeverisë së tij deri në vitin 2027: Taksat, pagat e kriza e emigracionit

07/07/2023 16:10

Në fjalimin e tij të parë parlamentar kryeministri i rizgjedhur i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis është zotuar se qeveria e tij konservatore do të korrigjojë gabimet  e së kaluarës dhe gjatë katër viteve të ardhshme do të shkurtojë taksat, do të rrisë pagat dhe pensionet dhe do të shlyejë borxhet e paketave të shpëtimit më shpejt se afatet.

“Në fillim të këtij mandati të ri, nuk do të premtoj mrekulli, vetëm këmbëngulje, punë të palodhur, gatishmëri për të mësuar nga gabimet tona dhe për t’i korrigjuar ato. Në politikën fiskale dhe ekonomike, objektivat tona janë të qarta dhe të matshme: një kthim në shkallën e investimit deri në fund të vitit”, tha Mitsotakis.

Midis masave afatshkurtër pensionistëve do tu jepet një bonus vjetor, administrata shtetërore do të shohë një rritje të pagës minimale me gati 180 euro më shumë, do të rriten bonuset për familjarët me fëmijë, për postet me përgjegjësi, kontributet e sigurimeve shoqërore do të ulen me 1% , ndërsa do reduktohen gradualisht taksat e biznesit për të vetëpunësuarit.

Mitsotakis ka deklaruar gjithashtu se  qeveria e tij do të përfundojë zgjerimin e gardhit përgjatë kufirit greko-turk dhe do të forcojë rojet bregdetare të vendit gjatë mandatit të ri.

“Ne reduktuam ndjeshëm flukset migratore, duke mbrojtur kufijtë tanë. Por siç e shihni, kriza e emigracionit është vazhdimisht prezente dhe Greqia, si një vend që ndodhet në kufirin e Evropës, kërkohet të testohet çdo ditë në fushën e mbrojtjes së kufijve, por edhe në fushën e humanizmit”.

Në debatin tri ditor parlamentar deri të shtunën kur qeveria do të marrë votëbesimin, kreu i grupit parlamentar të Syrizës, ka thënë se opozita do të kundërshtojë çdo përpjekje që do të bëjë qeveria dhe do të rëndojë ekonomikisht  në kurriz të qytetarëve.

Sa u përket partive të tjera opozitare, sidomos ato të ekstremit të djathtë, pritet të nxisin debatin publik mbi çështjet e komunitetit LGBTQ+, emigracionin dhe marrëdhëniet greko- turke.

Top Channel