Kërkesa e Listës Serbe që Qeveria e Serbisë ta shpallë Policinë e Kosovës organizatë terroriste, është konsideruar absurd nga Prishtina zyrtare, ndërsa nga berogradu përshkruhet si “mesazh politik që kërkon përgjigje nga shteti”.
Kërkesa e Listës Serbe u publikua pak ditë pasi Qeveria e Kosovës shpalli terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”, dy organizata për të cilat besohet se veprojnë në veri të Kosovës. Akuzat për terrorizëm u bënë në kohën e rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, por edhe në kohën kur bashkësia ndërkombëtare pret zbatimin e marrëveshjes dhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ministri i jashtëm serb Ivica Dacic tha se qëllimi i Prishtinës është që organizatat e caktuara nga veriu i Kosovës të shpallen “terroriste”, për të shkaktuar frikë dhe zhvendosje të serbëve nga ajo hapësirë. Ai shtroi pyetjen nëse Beogradi duhet t’i publikojë emrat e të gjithë shqiptarëve që, sipas tij, “përgjatë viteve demonstruan kundër Serbisë”, si dhe se “serbët kanë të drejtë të shprehin pikëpamjet e tyre politike”.
Sipas ekspertëve, përmes këtij qëndrimi kryediplomati serb po i dërgon mesazh komunitetit ndërkombëtar se mënyra se si Kurti (kryeministri i Kosovës) po e udhëheqë politikën gjatë muajve të fundit, po e rrezikon dialogun. Lista Serbe, ka kërkuar nga Qeveria e Serbisë që “njësitë speciale” të Policisë së Kosovës, strukturat e inteligjencës dhe të gjithë “bashkëpunëtorët e atyre strukturave” t’i shpallë “organizata terroriste sepse kërcënojnë paqen në këto hapësira”.
Top Channel