Sekretarja e Thesarit Janet Yellen udhëton të enjten drejt Kinës për t’u takuar me zyrtarë të lartë në kuadrin e përpjekjeve më të fundit për të diskutuar rreth marrëdhieve të tensionuara mes dy vendeve.

Departamenti i Thesarit njoftoi në një deklaratë më herët këtë javë se vizita e zonjës Yellen do të vazhdonte deri të dielën dhe se bëhet me udhëzimin e Presidentit Joe Biden, për të thelluar komunikimin për një sërë çështjesh, përfshirë zhvillimet financiare dhe makroekonominë globale.

“Gjatë qëndrimit në Pekin, Sekretarja Yellen do të diskutojë me zyrtarët (kinezë) se sa e rëndësishme është që dy vendet – dy ekonomitë më të mëdha të botës – të menaxhojnë me përgjegjshmëri marrëdhënien, të komunikojnë drejtpërdrejt për fushat që kanë shqetësim, të punojnë së bashku për të trajtuar sfidat globale”, thuhet në deklaratë.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Thesarit u tha gazetarëve të dielën se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë një marrëdhënie të shëndetshme ekonomike me Kinën dhe se ndalja e plotë e tregtisë dhe investimeve “do të ishte destabilizuese për të dyja vendet tona dhe për ekonominë globale”.

Vizita e zonjës Yellen pason udhëtimin e Sekretarit të Shtetit Antony Blinken në Kinë muajin e kaluar, ku ai ra dakort me Presidentin Xi Jinping të stabilizojnë marrëdhëniet SHBA-Kinë dhe të sigurohen që pikat e mosmarrëveshjeve të mos shndërrohen në konflikt.

Por, disa analistë amerikanë janë skeptikë për ndonjë progres që mund të arrihet nga udhëtimi i zonjës Yellen në Pekin, duke vënë në dukje vendimin e Kinës gjatë ditëve të fundit për të kufizuar eksportet e dy metaleve që përdoren për gjysmëpërçuesit dhe panelet diellore.

Thomas Duesterberg, studiues në organizatën kërkimore The Hudson Institute, i tha shërbimit në gjuhën kineze të Zërit të Amerikës se “kufizimet e reja kineze ndaj eksporteve janë në shkelje të angazhimeve të ndërmarra në Organizatën Botërore të Tregtisë dhe një përshkallëzim serioz i tensioneve në një kohë kur fushata e zotit Xi po përpiqet të tërheqë dhe të fitojë sërish investimet amerikane dhe mundësitë tregtare”.

Ai shtoi se, “kufizimet ndaj këtyre metaleve të rralla do të dëmtojnë jo vetëm industrinë e gjysmëpërçuesve, por edhe teknologjinë me lazer dhe industrinë e dritave halogjene LED në Perëndim”.

Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë dy ekonomitë më të mëdha të botës dhe arritën rekorde të reja në vitin 2022 në tregtinë mes tyre. Megjithatë tensionet për tregtinë dhe sigurinë vazhdojnë të jenë domethënëse. Shtetet e Bashkuara kanë vendosur kufizime ndaj eksporteve të teknologjisë së lartë, si dhe sanksione ekonomike ndaj zyrtarëve të lartë kinezë të akuzuar për abuzime. Javën e kaluar, Kina njoftoi një ligj të ri kundër spiunazhit që mund të vërë në rrezik bizneset e huaja.

William Yu, një ekonomist në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxhelos, i tha Zërit të Amerikës se “Kina do të dëshironte t’i bindte Shtetet e Bashkuara që të linin pas politikat e mëparshme, por sigurisht që Yellen nuk do ta pranojë këtë. Kështu që mendoj se shanset për të arritur rezultate konkrete mbi të cilat mund të bien dakort të dyja palët mund të mos jenë të larta”.

“Ekonomia e Kinës po përballet aktualisht me sfida domethënëse”, tha ai, “dhe ekziston një dëshirë e fortë në Kinë që vendet perëndimore të investojnë sërish në Kinë, të angazhohen në aktivitete sipërmarrjeje, dhe të fillojnë të blejnë sërish produkte kineze siç kanë bërë në të kaluarën. Heqja e të gjitha sanksioneve do të ishte më e preferuara”.

Një zyrtar i lartë amerikan i Departamentit të Thesarit tha se zonja Yellen synon të diskutojë shqetësimet e Shteteve të Bashkuara për ligjin e ri kundër spiunazhit.

“Kemi shqetësime për ligjin e ri, dhe se si mund të zbatohet ai, për faktin se mund të zgjerojë gamën e aktiviteteve që autoritetet në Kinë i konsiderojnë si aktivitet spiunazhi”, i tha zyrtari agjencisë së lajmeve Reuters, duke përmendur pasoja të mundshme tek klima më e gjerë e investimeve dhe tek marrëdhënia ekonomike.

Zonja Yellen foli për marrëdhëniet SHBA-Kinë gjatë një fjalimi në prill në Universitetin Johns Hopkins. Ajo tha se do të ishte më e shëndetshme të ekzistonte një marrëdhënie që inkurajon rritjen dhe novacionin në të dyja vendet.

“Një Kinë në rritje që ndjek rregullat ndërkombëtare është mirë për Shtetet e Bashkuara dhe botën”, tha zonja Yellen. “Të dyja vendet mund të përfitojnë nga konkurenca e shëndetshme në fushën ekonomike. Por, konkurenca e shëndetshme ekonomike, ku përfitojnë të dyja palët, është e qëndrueshme vetëm nëse konkurenca është e drejtë”.

Zonja Yellen gjithashtu tha se për hir të stabilitetit global, Shtetet e Bashkuara dhe Kina duhet të bashkëpunojnë “për sfidat urgjente globale të ditëve të tanishme”. /VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA