Mungesa e hapave drejt uljes së tensioneve në veri, po i kushton shtrenjtë Kosovës.
Pas masave ndëshkuese të Bashkimit Europian, edhe Gjermania ka vendosur së fundi të ndërpresë përkohësisht bashkëpunimin me Kosovën në disa fusha të caktuara. Ambasada gjermane në Prishtinë sqaroi se nga kjo lëvizje e Berlinit zyrtar nuk preken “projektet me sektorin e shoqërisë civile, si dhe projektet që kemi filluar t’i zbatojmë”.
“Masat përfshijnë shtyrjen e konsultimeve qeveritare për bashkëpunimin për zhvillim, pezullimin e një partneriteti të parashikuar dypalësh rreth klimës dhe dorëzimin e pajisjeve specifike për ofruesit e sigurisë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Gjermanisë për REL-in.
Në fund të qershorit, BE-ja njoftoi se kishte vendosur disa masa të përkohshme ndëshkuese ndaj Kosovës, dhe arsyeja ishte pikërisht veshi i shurdhër i bërë kërkesave të bllokut europian për uljen e tensioneve në veri. Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të shpallur “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut” si organizata terroriste, u konsiderua i tepruar dhe një “hap i njëanshëm” i cili sipas Bashkimit Europian, i cili nuk kontribuon në uljen e tensioneve.
“Shpallja si organizata terroriste është hap i njëanshëm dhe nuk i kontribuon shtensionimit të situatës dhe gjetjes së rrugës për të zgjidhur problemet ekzistuese në një mënyrë të qëndrueshme. Ne përsërisim thirrjen për të dyja palët të përmbahen nga çdo veprim apo retorikë që mund të çojë në rritjen e mëtejme të tensioneve dhe që urgjentisht të ndërmarrin hapa për të shtensionuar situatën aktuale në veri të Kosovës në linjë me propozimin e bërë nga përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell, më 22 qershor dhe deklaratës së BE-së të 3 qershorit”, shprehet Stano.
Kërkesat e bllokut që prezantoi Borell për Kosovën dhe Serbinë, lidhur me ç’tensionimin e situatës në veri, ishin: Kosovës i kërkohet që menjëherë të pezullojë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri dhe që katër kryetarët komunalë përkohësisht të ushtrojnë detyrat e tyre në objekte alternative Serbisë i kërkohet të sigurojë që protestuesit të tërhiqen nga ndërtesat komunale paralelisht me tërheqjen e Policisë së Kosovës.
Të dyja shteteve u kërkohet shpallja e zgjedhjeve të parakohshme lokale, sa më shpejt që të jetë e mundur, në katër komunat në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Kosovës në to.
Top Channel