Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të shpallur “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut” si organizata terroriste, është “hap i njëanshëm” sipas Bashkimit Europian, i cili nuk kontribuon në uljen e tensioneve.

Prishtina zyrtare e hodhi këtë hap në 29 qershor, me arsyetimin se dy grupimet në fjalë paraqesin “kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë në Kosovë”, pasi kanë kryer veprime “me elemente terroriste”, si: sulme të armatosura ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, pjesëtarëve të Misionit të Bashkimit Europian për Sundim të Ligjit – EULEX dhe ushtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Për BE-në, një lëvizje e tillë tani nuk e ndihmon aspak qetësimin  e situatës.

 “Shpallja si organizata terroriste është hap i njëanshëm dhe nuk i kontribuon ç’tensionimit të situatës dhe gjetjes së rrugës për të zgjidhur problemet ekzistuese në një mënyrë të qëndrueshme. Ne përsërisim thirrjen për të dyja palët të përmbahen nga çdo veprim apo retorikë që mund të çojë në rritjen e mëtejme të tensioneve dhe që urgjentisht të ndërmarrin hapa për të ç’tensionuar situatën aktuale në veri të Kosovës në linjë me propozimin e bërë nga përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell, më 22 qershor dhe deklaratës së BE-së të 3 qershorit”, tha Stano.

Kërkesat e bllokut që prezantoi Borell për Kosovën dhe Serbinë, lidhur me shtensionimin e situatës në veri, ishin: Kosovës i kërkohet që menjëherë të pezullojë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri dhe që katër kryetarët komunalë, përkohësisht të ushtrojnë detyrat e tyre në objekte alternative.

Serbisë i kërkohet të sigurojë që protestuesit të tërhiqen nga ndërtesat komunale paralelisht me tërheqjen e Policisë së Kosovës. Të dyja shteteve u kërkohet shpallja e zgjedhjeve të parakohshme lokale, sa më shpejt që të jetë e mundur, në katër komunat në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Kosovës në to.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA