Anëtarësimi në NATO domosdoshmëri! Zelensky përdor çdo mundësi, “mësyn” në Bullgari

06/07/2023 18:45

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, po përdor çdo mundësi për të arritur bindjen e anëtarëve për anëtarësim në NATO, për këtë arsye zhvilloi një vizitë zyrtare në Bullgari, prodhuesin dhe aleatin më të madh të armëve.

Bisedimet u zhvilluan në kuadër të insistimit të liderit të Ukrainës për anëtarësim në aleancën veriatlantike, fillimisht me kryeministrin bullgar Nikolai Denkov, e më pas me presidentin Rumen Radev dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë.

Në axhendën e diskutimeve u përfshinë mbështetja e mbrojtjes, samiti i NATO-s, garancitë e sigurisë dhe zbatimi i Formulës së Paqes.

Vizita njëditore vjen ndërsa Bullgaria po përgatitej të miratonte dërgimin e ndihmës ushtarake drejtpërdrejt në Ukrainë, duke përmbysur praktikën e mëparshme të dërgimit të armëve në Kiev nëpërmjet vendeve të treta.

Bullgaria, një anëtare e BE-së dhe NATO-s, por historikisht dhe kulturalisht e afërt me Moskën, ka qenë thellësisht e ndarë në lidhje me çështjen e dërgimit të armëve në vendin e shkatërruar nga lufta.

Megjithatë, fabrikat bullgare të municioneve kanë funksionuar me kapacitet të plotë që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia.

Vitin e kaluar, eksportet nga lulëzimi i industrisë së armëve të Bullgarisë ishin me vlerë rreth 4.3 miliardë dollarë (rreth katër miliardë euro), trefishi i rekordit të mëparshëm të vendosur në 2017-ën.

 

 

Top Channel