Hipoglicemia quhet sëmundja që prek nivelin e sheqerit dhe glukozës në trup. Konsiderohet si e kundërta e diabetit, pasi ul poshtë normave të lejuara nivelin e sheqerit në gjak.
Shfaqet kur këto nivele bien nën shifrën 70mg/dl dhe mund të kthehet në një rrezik të vërtetë për jetën. Efektet anësore të kësaj sëmundje janë thuajse të menjëhershme, duke shkaktuar lodhje, dhimbje koke, marramendje apo rrahje të larta zemre.
Si shumë gjendje të trupit edhe kjo ndikohet ngushtë nga ushqimi i mirë ose jo dhe stili i jetesës. Në këtë artikull AgroWeb.org ju tregon ushqimet që ju ndihmojnë në balancimin e nivelit të sheqerit në gjak pa e dëmtuar aspak organizmin.
Ndiqini më poshtë të gjitha këshillat për dietën perfekte kundër hipoglicemisë.
Gjatë natës, kur flini gjumë nivelet e sheqerit në gjak bien, për këtë arsye këshillohet që mëngjesi të konsumohet direkt pasi jeni zgjuar. Në këtë mënyrë trupi do të marrë energjinë e nevojshme nga ushqimet, pa pasur nevojën që të shterojë të gjithë glukozën e mbetur.
Sigurisht duhet të filloni me ushqime të shëndetshme që përmbajnë shumë vitamina. Në mëngjes konsumoni vezë të ziera, drithëra, kos, mjaltë apo fruta të ndryshme të stinës.
Frutat e pyllit janë një ndër kombinimet më të mira të sheqerit të shëndetshëm, antioksidantëve dhe vitaminave për trupin tuaj.
Dreka
Dreka këshillohet të jetë e lehtë, por e mbushur me proteina yndyrna dhe karbohidrate të shëndetëshme.
Fokusohuni tek mishi i pulës, sallata, patatet e ëmbla dhe perimet e ndryshme të stinës. Karbohidrate të tjera mund të merrni nga buka, zgjidhni ato që përmbajnë shumë lloje drithërash në përbërjen e tyre.
Mjekët rekomandojnë shumë edhe konsumimin e peshkut si sardelet dhe peshku ton i shoqëruar me sallatë apo perime.
Darka
Ndonëse vaktet e darkës mund të jenë tunduese për këdo, mjekët ju këshillojnë që edhe ato të jenë të lehta. Në darkë zgjidhni karbohidrate dhe proteina që përfshijnë bishtajorët, sallatën, mishin e pulës apo orizin. Nëse ndiheni të uritur, atëherë duhet të konsumoni një ushqim të pasur me glukozë siç janë petullat dhe frutat.
Lëngjet e frutave janë gjithashtu të rekomandueshme. Gjithnjë jini vigjilentë të kuptoni shenjat që trupi juaj po ju jep në lidhje me këtë sëmundje. Të rrezikuar janë edhe personat që marrin kura të forta kundër diabetit, pasi ilaçet mund të prishin balancën e mirë të sheqerit në gjak.
Top Channel