Diplomatë perendimorë vihen serish në lëvizje për ta bindur Prishtinën dhe Beogradin që të ulin tensionet dhe të zbatojnë në praktikë kerkesat e Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
Pas vizitës në Beograd dhe Prishtinë të kryeministrave të Holandës dhe Luksemburgut, në Prishtinë shkoi të marten në mbrëmje edhe ndërmjetësi i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajҫak. Ndërmjetësi evropian, tha se në Prishtinë “gjeti mirëkuptim për të çuar përpara kërkesat e Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në veri”, por se “ende duhet të vazhdojnë diskutimet për hapa konkret”. Bashkimi Evropian i ka kërkuar Kosovës pezullimin e operacioneve policore në veri, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa Beogradit që të ndikojë tek serbët për pjesëmarrje të pakusht në zgjedhjet e ardhshme.
Për mosndërmarrjen e hapave, Prishtina zyrtare tashmë po ballafaqohet me masat ndëshkuese të BE-së. Ndërmjetësi Lajҫak, pas takimit që zhvilloi me kryeministrin Kurti, tha se ai nuk mund të flas për masa ndëshkuese shtesë për Kosovën. Por theksoi se masa të tilla janë të gatshme edhe për Serbinë në rast se nuk ndërmerr veprime drejt shtensionimit të situatës.
Masa edhe kundër Serbisë?
“Nuk mund të komentoj për masat meqë nuk hyjnë në fushën e përgjegjësisë sime. Por Bashkimi Evropian nuk është fare i gëzuar që vjen në këtë pozitë për të vendosur këto masa. BE e ka bërë të qartë se i ka sanksionet e gatshme edhe për Serbinë të cilat do të vendosen nëse shtetet anëtare vlerësojnë se ajo nuk po i respekton kërkesat e BE-së”, tha Lajҫak. Sipas tij, vizita në Prishtinë kishte qëllim që të arrihet në pikën “ku këto masa hiqen dhe kthehemi në gjendjen paraprake”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nga ana e tij, vazhdon siҫ është shprehur të mos i mbetet hatri në Bashkimin Evropian. Por masat ndëshkuese të BE-së të vëna ndaj shtetit të Kosovës i cilëson të padrejta dhe e bëjnë dialogun asimetrik. Në një njoftim nga zyra e kryeministrit Kurti, thuhet se “kryeministri Kurti shprehu përkushtimin dhe angazhimin e tij për shtensionim dhe normalizim”, ndërsa potencohet se “policia e Kosovës vetëm zbaton ligjin e kujdeset për sigurinë publike dhe se pjesëtarët e saj të vendosur nëpër ndërtesat komunale nuk kanë ndërmarrë operacione në rrethinën e atyre ndërtesave”.
I dërguari evropian në Prishtinë takoi edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Kjo e fundit theksoi se “institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që së bashku me partnerët ndërkombëtarë t`i tejkalojnë sfidat aktuale dhe se Kosova ka dëshmuar vullnet për shtensionim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës”.
Diplomacia e intensifikuar
Ndërmjetësi evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, nga Prishtina vazhdon vizitën në Beograd, si pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për gjetjen e një zgjidhjeje për shtensionim të situatës në veri të Kosovës. Në paraditën e së hënës, kryeministrat e Holandës dhe Luksemburgut, Mark Rutte dhe Xavier Bettel, i bënë thirrje Kosovës që të angazhohet drejt shtensionimit të situatës sipas planit të Bashkimit Evropian. Mark Rutte dhe Xavier Bettel, një ditë më parë ishin edhe në Beograd në përpjekje siç thanë “për të mbështetur normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të ulin tensionet”.
“Ju e kuptoni domethënien e tensioneve, le të mos harrojmë se Lufta e Parë Botërore nisi këtu dhe përpara Ukrainës, lufta e fundit që kishim në kontinent ishte po këtu, kështu që duhet të shmangim çdo krizë të re të mundshme që mund të përfundojë me vuajtje të popullatës civile”, tërhoqi vërejtjen kryeministri i Luksemburgut Xavier Bettel. /DW
Top Channel