Detaje nga atentati në Krujë/ 13-vjeçari vijon të jetë rëndë në spital, makina rezulton e vjedhur në Tiranë

05/07/2023 11:39

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga atentati i një dite më parë në Larushk të Krujës, ku objektiv ishte Gentjan Bejtja, por u vra kunati i tij dhe mbetën të plagosur dy fëmijët.

13-vjeçari ndodhet në gjendje të rëndë në spital që prej ditës së djeshme, ndërsa policia po heton në disa pista.

Mosmarrëveshje mes grupit kriminal, apo hakmarrja për një ngjarje te pazbuluar ku objektivi mund të ishte i përfshirë janë disa nga pistat që dyshohet se lidhen me atentatin.

Sipas gazetares Dorjana Bezat, Bejtja kishte disa ditë që ishte kthyer nga jashtë, pasi dy shtetet evropiane i kishin refuzuar kërkesën për azil.

Makina e cila u gjet e djegur me tre kallashnikovë brenda, në Tapizë që dyshohet të jetë e autorëve, rezulton të jetë e vjedhur në Tiranë.

Gentjan Bejtja, i cili në momentin e atentatit nuk ishte në shtëpi dhe pasojat ranë mbi kunatin dhe dy fëmijët e tij, rezulton me një të shkuar të pasur kriminale, ndërsa u ka shpëtuar edhe dy atentateve.

Viktima Ramazan Sino me profesion shofer në Prokurorinë e Apelit në kryeqytet me makinë po shoqëronte fëmijët e motrës drejt shtëpisë së tyre.

Sapo mbërritën në verandën e shtëpisë ata u përballën me agresivitetin e rreth 30 plumbave të qitura nga dy armë të ndryshme kallashnikovi. Si pasojë e të shtënave 29 vjeçari ndërroi jetë në vendngjarje ndërsa nipi, 13 vjeçari Alvi Bejtja dhe fëmija tjetër 10 vjeç përfunduan në spital të plagosur.

Atentatorët dyshohet se ishin tre persona të cilët u afruan deri pranë banesës pa rënë në sy të askujt pasi dhe kamerat e rrugës ishin hequr nga policia dhe e vetmja kamerë që punonte ishte ajo në oborrin e banesës. Dy qëlluan, ndërsa i treti po ashtu i armatosur qëndroi në makinë dhe i largoi menjëherë pas sulmit. Rreth 20 minuta më vonë policia gjeti në Tapizë nën flakë makinën e vjedhur që u përdor nga atentatorët si dhe tre kallashnikovë në brendësi të saj.

Në shtator të vitit 2016 në mjetin e tij Tuareg shpërtheu një lëndë eksplozive që vetëm e plagosi ndërsa në janar të vitit të kaluar ai u tentua të eleminohej me armë zjarri teksa ishte në makinë me Klodian Stafukën por mbeti i plagosur vetëm në dorë.

Emri i Gentjan Bejtës rezulton në regjistrat e policisë i implikuar në disa ngjarje kriminale nga shkatërrimi i pronës deri te krimet ndaj personit. Ngjarja me e rëndë për të cilën ai u vu në pranga ishte për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt pasi u akuzua se kishte siguruar makinën e përdorur në vrasje. Ai është pyetur dhe si person që ka dijeni edhe për ngjarje të tjera si vrasja e Ilvi Canit në autostradë, atentati ndaj Mariglen Hakës si dhe vrasja e trefishtë në mbikalimin e Fushë Krujës korrikun e vitit te shkuar.

Për zbardhjen e sulmit në shtëpinë e tij policia ka ushtruar kontroll në banesat e personave me precedent në zonë por deri më tani nuk janë gjetur të dhëna të vlefshme.

Top Channel