Betohen deputetët e parlamentit të ri grek, për herë të parë në histori hyjnë tetë parti

05/07/2023 16:50

Në një mbledhje solemne mesditën e së hënës kanë bërë betimin në prani të Presidentes së Republikës së Greqisë Katerina Sakellaropoulou 300 deputetët e parlamentit të ri grek që ka dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit.

Është hera e parë në historinë e Greqisë që në parlament hyjnë tetë parti, madje tre prej tyre përfaqësohen për herë të parë. Shumica e deputetëve kanë bërë betimin fetar, ateistët betimin politik dhe 4 prej deputetëve të pakicës myslimane janë betuar mbi Kuran.

Harta e vendeve të ligjvënësve kësaj here ka qenë pak më e ndryshme nga herët e tjera duke shkaktuar reagimin e të Majtëve të Syrizës , pasi menjëherë pas tyre kanë qëndruar 12 deputetët e partisë Fitorja që mbështetet nga neonazistët.

Nga 300 deputetë, 100 janë zgjedhur për herë të parë,ndërsa 68 janë gra.

Kanë qenë të shumtë ata ligjvënës që në deklaratat e para të tyre para ceremonisë kanë uruar që mos ketë skena që nuk i përshtaten kulturës parlamentare, prej përfaqësuesve të partive të ekstremit të djathtë.

Kanë ndjekur seancën e betimit bashkëshortë, të afërm dhe fëmijë të deputetëve.

Pas zgjedhjes së kryetarit të parlamentit, ditën e enjte, do të fillojë në seancën plenare debati treditor për të ashtuquajturat deklaratat programore të qeverisë së re të Kyriakos Mitsotakis. Pas diskutimit të shtunën më 8 korrik qeveria e re do të kërkojë votëbesimin.

Konsevatorët kanë shumicën në parlament me 158 deputetë , fakt që i lehtëson të kalojnë projektligjet e programit të tyre.

Top Channel