Zëvendëskryeministrja e Kosovës viziton Bosnjë dhe Hercegovinën

04/07/2023 20:09

Zëvendëskryeministrja e Kosovës për Çështje të Pakicave dhe të Drejta të Njeriut, Emilija Rexhepi, ka zhvilluar vizitë zyrtare dyditore në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Sipas një njoftimi nga Qeveria e Kosovës, tema kryesore e takimeve gjatë kësaj vizite të zëvendëskryeministres Rexhepi ishte ratifikimi i marrëveshjes për lëvizjen e lirë me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor dhe njohja e dokumenteve të identifikimit, si pjesë e Procesit të Berlinit për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Vizita Rexhepit në Bosnje e Hercegovinë vjen një javë pasi entiteti i Republikës Sërpska në Asamblenë Kombëtare të Bosnjë dhe Hercegovinës bllokoi miratimin e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor.

Kjo rrjedhimisht bllokoi vendosjen e regjimit pa viza ndërmjet BeH-së dhe Kosovës, ndonëse për këtë u ra dakord në nëntor të vitit 2022, me nënshkrimin e marrëveshjes për lëvizje të lirë në Ballkanin Perëndimor, në kuadër të Procesit të Berlinit.

Kuvendi i Kosovës e kishte ratifikuar më 23 shkurt këtë marrëveshje, dhe ndonëse pritej që ajo të votohej në të njëjtën ditë edhe nga Bosnjë e Hercegovina, Këshilli i Ministrave i këtij vendi e shtyu votimin.

Bëhet e ditur se Rexhepi, përveç takimit me deputetin Shemsudin Mehmedoviq – nga i cili u ftua në vizitë – është pritur në takim edhe nga ministri i Jashtëm i Bosnjë-Hercegovinës, Dino Konakoviq, ministri i Mbrojtjes Zukan Helez, dhe Benjamina Kariq, kryetare e komunës së Sarajevës.

Në njoftimin e Qeverisë thuhet gjithashtu se në takimet e zhvilluara u bisedua edhe për mundësitë e forcimit të lidhjeve kulturore dhe arsimore ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Shtetet e Ballkanit Perëndimor, vitin e kaluar, kanë arritur një marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe atë për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve.

Bosnja e Hercegovina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, kështu që kosovarët mund të hyjnë në Bosnje e Hercegovinë me vizë që jepet “vetëm në raste të jashtëzakonshme”.

Vizat lëshohen në një formular të veçantë në Ambasadat e Bosnjës në Shkup, Podgoricë dhe Beograd./ Radio Evropa e Lirë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA