Sipas një studimi të fundit, lojërat e mendjes, dhe halucinacionet specifike në veçanti, mund të jenë shenja të hershme të sëmundjes së Parkinsonit, para se të shfaqen simptomat fizike.
A ndjeni një prani pas shpine? Sipas një studimi më të ri, kjo mund të parashikojë sëmundjen e Parkinsonit, me efekte përgjithësisht negative në intelekt.
Sipas studiuesve nga Ecole Polytechnique Fédérale de Lausanne në Zvicër, halucinacionet se dikush është menjëherë pas jush, kur në fakt askush nuk është, paraprijnë simptomat si dridhje, nga një e treta e pacientëve me sëmundjen e Parkinsonit. Në fakt, halucinacionet prekin gjysmën e pacientëve me këtë sëmundje.
“Tani e dimë se halucinacionet e hershme duhet të merren parasysh në lidhje me sëmundjen e Parkinsonit”, thotë profesor Olaf Blanke i Ecole Polytechnique Fédérale de Lausanne.
Studiuesit gjithashtu shtojnë se pacientët e sapo diagnostikuar me sëmundjen e Parkinsonit që përjetojnë këto halucinacione kanë më shumë gjasa të përjetojnë rënie të shpejtë njohëse.
Halucinacionet mund të variojnë nga të lehta, të tilla si halucinacionet e pranisë, deri te halucinacionet vizuale më të rënda ndërsa sëmundja përparon.
Shenjat e para
Për të hetuar iluzionet e pranisë, studiuesit punuan me Spitalin San Pau në Barcelonë, duke mbledhur të dhëna nga 75 pacientë, të moshës 60 deri në 70 vjeç, të cilët ishin diagnostikuar me sëmundjen e Parkinsonit.
Klinikët kryen një sërë intervistash neuropsikologjike për të vlerësuar gjendjen mendore të pacientëve, si dhe nëse kishte gjëra që ekzistonin vetëm në imagjinatën e tyre. Përveç kësaj, përmes elektroencefalogramit, ata regjistronin aktivitetin e trurit të pacientëve në pushim.
Brenda pesë viteve të para të sëmundjes, këta pacientë priren të kenë më shumë vështirësi me kujtesën, planifikimin dhe reagimet automatike, një gjendje e cilësuar si rënie e funksionit ekzekutiv frontal. Pas këtyre pesë viteve të para, grupi i prirur ndaj halucinacioneve tregoi një korrelacion më të fortë me çështjet motorike, të njohura si aktiviteti frontal theta.
Duke u fokusuar në këta tregues të hershëm, ekipi hulumtues synon të sfidojë tendencën aktuale të diagnostikimit të sëmundjes së Parkinsonit shumë vonë për trajtime optimale parandaluese dhe modifikuese të sëmundjes.
“Nëse keni sëmundjen e Parkinsonit dhe keni halucinacione, qoftë edhe ato të vogla, atëherë duhet ta ndani këtë informacion me mjekun tuaj sa më shpejt të jetë e mundur. Deri më tani, ne kemi prova që lidhin rënien njohëse dhe halucinacionet e hershme vetëm për sëmundjen e Parkinsonit, por kjo mund të jetë e vërtetë edhe për sëmundje të tjera neurodegjenerative”, thekson Dr. Frosco Bernasconi.
Top Channel