Profesori, themeluesi i Shërbimit të Reanimacionit Kardiak dhe njëherazi një prej korifenjve të mjekësisë shqiptare, Anesti Kondili ka ardhur në një rrëfim tepër emocionues për jetën e tij në “E Diell”.
Kondili tregoi për sëmundjen jashtëzakonisht të rëndë të të atit në zemër dhe ndikimin që ajo pati në vendimin e tij për t’u bërë mjek kardiolog dhe shpëtuar jetë njerëzish. Sakaq, episodi më tronditës i jetës së tij ishte kur i ati i vdiq në duar në moshën 12-vjeçare, duke lënë pas të ëmën, dhe tre fëmijtë.
“Në moshën 54-vjeç më vdiq babai nga një sëmundje e rëndë e zemrës. Ka vuajtur dy vjet në mënyrë të jashtëzakonshme saqë nëna për t’i lehtësuar frymarrjen, sepse kishim doctor që e mjekonte dhe e shikonte në shtëpi, i hidhte venduzën, i priste lëkurën me brisk të ri dhe e nxirrte venduzën prapë që t’i nxirrte gjakun. Këtë procedurë ne sot e quajmë salaso, heqje e gjakut për të lehtësuar frymarrjen.
Ai më ka vdekur në duar, kur unë kam qenë 12-vjeç, duke lënë pas nënën me 3 fëmijë. Ka qenë motra Liljana, vëllai Jani dhe unë. Dhe nëna me një devotshmëri të jashtëzakonshme dhe mundim të madh arriti të na shkollonte dhe nxirrte të gjithëve në rrugën e jetës. Ndaj unë kam një vlerësim të jashtëzakonshëm për të.
Motra ka mbaruar fakultetin ekonomik, vëllai ka mbaruar fakultetin inxhinerik dhe u bë Doktor i Shkencave Inxhinerike dhe unë që u futa në Politeknikumin Mjekësor që t’iu shëbeja të sëmurëve si babai im. Pra ishte një indicie sëmundja e babait, padiskutim.
Politeknikumi Mjekësor ka qenë tek Medreseja sot. Ka qenë shkollë e mesme, por e barabartë me shkollën e lartë, dhe kur mbaroje studimet aty dilje ndihmës mjek. Unë u futa në atë shkollë edhe për të mbaruar studimet sa më shpejt për të ndihmuar nënën sepse ajo ishte punëtore, nuk kishte mundësi ekonomike që të na mbante të tre vetave në shkollë. Motra duke qenë edhe në shkollë, u fut edhe në punë në Ministrinë e Financave me qëllim që të kishim të ardhura. Ishte e zonja.
Kështu unë u futa në shkollë tek Politeknikumi Mjekësor dhe dola shumë shumë mirë. Por në përfundim të studimeve aty, nuk do të dilja në punë por nëna më suportoi që të kryeja studimet në Universitetin e Mjekësisë”- tha mjeku Kondili.
I pyetur nëse nëna jetoi gjatë për të parë fëmijët e saj të arrirë, ai tha që ajo nuk rrojti gjatë, por arriti t’i shihte ata të arrirë.
Top Channel