Aleksandra! Doktor Kondili rrëfen historinë e dashurisë në spital, kush ishte farmacistja që “i rrëmbeu” zemrën

02/07/2023 19:15

Profesori dhe themeluesi i Shërbimit të Reanimacionit Kardiak në Shqipëri, Anesti Kondili ka rrëfyer në “E Diell” historinë e dashurisë me Aleksandrën, farmacisten që “i rrëmbeu” zemrën.

Për rubrikën “Galeri”, Kondili tha se me Aleksandrën u njoh kur filloi punë në pavionin 15, pasi ajo punonte në farmacinë përballë spitalit. Fillimisht filluan të bisedonin dhe aty kuptuan se kishin jetuar në të njëjtën lagje tek Rruga e Durrësit, por ai nuk e mbante mend.

Nga aty, filluan të pëlqeheshin me njeri-tjetrin dhe një vit më vonë, në 1967-ën, u fejuan dhe më pas u martuan. Mjeku zbuloj se ai dhe Aleksandra ishin një çift për njeri-tjetrin, sikur Zoti të kishte paracaktuar fatin e tyre, pasi ajo vinte nga një linjë e gjatë familjarësh mjekë me emër.

Nga gjyshi, tek xhaxhai dhe vëllai i saj, të gjithë kanë qenë dhe janë mjekë të arrirë. Ngacmimit të Manushit se si ka qenë takimi i parë me vjerrin, Kondili iu përgjigj i qetë sepse megjithëse ishte një person me një temperament të ashpër, ai pati besim tek zgjedhja e vajzës së tij.

Pjesë nga biseda:

Manushi: Ndërkohë që profesioni ecte, çfarë ndodhte me jetën personale?

Kondili: Unë kur u futa në spital isha në pavionin 15. Përballë pavionit të 15 ishte farmacia, farmacia e laboratorit të institucionit injektabël. Dhe kjo farmaci kishte personelin e vetë, mes të cilëve edhe kjo vajza që shikoni këtu, Aleksandra. Unë e kisha pasur dikur në lagje, në Rrugën e Durrësit, por unë nuk e mbaja mend. Ajo më mbante mend, siç tregon.

Më pëlqeu, dhe filluam të pëlqeheshim me njeri-tjetrin. Shumë shpejt mbasi kisha filluar punë, brenda vitit të parë, ne u miqësuam, u fejuam dhe në ’67-ën u martuam.

Manushi: Aleksandra ishte farmaciste ndërkohë?

Kondili: Farmaciste.

Manushi: Kishte mbaruar universitetin për farmaciste?

Kondili: Shkollën e mesme dhe vazhdoi më pas fakultetin.

Manushi: Ça kinge është kjo mor burrë?

Kondili: Por prit të të tregoj një të veçantë, sepse ajo foto atje ka qëndruar vetëm dy orë që u bë fotoja sepse atëherë nuk lejohej të visheshe me të bardha. Ne e bëm ritin, shpejt e shpejt bëm fotografitë dhe pastaj i hoqëm. Prandaj e mbajmë këtë dhe e kemi në shtëpi si zbukurim të veçantë sepse ishte diçka e rrallë.

Manushi: Vajza e kujt ishte kinge?

Kondili: Vajza e Arqile Canit, sepse e nxore tamam pyetjen sepse je mjeshtër i ngacmimit. Kemi në foto edhe vjerrin, vjerrën dhe time shoqe. Familja e kësaj vajze ka pjesë të mjekësisë brenda. Gjyshi i saj Mihal Cani ka qenë kryemjeku i bregut të Himarës dhe të gjithë zonës aty. Djali i tij, ose xhaxhai i nuses, është Petro Cani, kryekirurg i Shqipërisë. Dhe vëllai i saj, Klement Cani, është përsëri mjek në Amerikë.

Manushi: I gjete ti ata apo të gjetën ata ty?

Kondili: U gjetëm vetëvetiu… Na bëri Zoti bashkë.

Manushi: Kjo është familje nga Bregu?

Kondili: Kjo është familje nga Bregu, nga Himara. Dhe kam kujtimet më të mira për fisnikërinë e prindërve të saj dhe gjenealogjinë e fisit të saj. Kështu që dajat i kam pas që mburreshin içik me fisin tim, sepse edhe ata kanë qenë të tre me arsim të lartë. Daja i vogël, Koço Kera ka qenë ekonomist, daja i dytë Aristidh Kero ka qenë mësues nga më të merituarit e Tiranës, dhe daja i madh Vasil Kero që ka qenë ekonomist i shkëlqyer. Kështu që s’ishte rastësi.

Manushi: Si ka qenë takimi i parë me vjerrin?

Kondili: I thjesht fare. Ai ishte njeri shumë serioz, por kishte një besim absolut tek unë. Asnjëherë nuk ka bërë nonjë ngacmim ndaj meje, nuk ka patur ndonjë dyshim ndaj meje, por ka pasur një lirëshmëri të madhe, shumë i emancipuar, për shkak të besimit që krijoi ndaj meje.

Manushi: Më përpara e kishte besimin tek vajza e vetë…

Kondili: Padiskutim, qe zgjedhja e saj. Pastaj kjo familje u bë me dy vajza. Vajzën e madhe Loretën që është mjeke aktualisht dhe profesoresh në gasontrologji, dhe punon në Romë aktualisht si profesoresh edhe aty. Dhe e vogla, Etleva, që ka mbaruar Histori-Filiologjinë dhe punon në një ndërmarrje ndërtimi këtu në Tiranë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA