Pas paralajmërimeve të Bashkimit Evropian për masa kundër Kosovës, ish-ambasadori i Holandës, Robert Bosch vlerëson se situata është serioze.
Ai këshillon ekzekutivin që t’i marrë parasysh kërkesat e aleatëve, edhe pse vlerëson se ato nuk janë qind për qind të justifikuara. Për tensionet që po i krijon Serbia si dhe mosndëshkimin e saj nga BE, diplomati holandez flet në një intervistë për KosovaPress.
Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se do t’i bëjë publike masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat vendet anëtare i kanë përgatitur, sipas tyre, për shkak se nuk janë ndërmarrë hapat e kërkuar për të ulur tensionet në veri të vendit.
Diplomati, i cili ka shërbyer në Kosovë këshillon Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti që të mos veprojë kundër misionit të aleatëve të shtetit.
Ndër masat e përmendura nga BE është pezullimi i punës të të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, mosmiratimin e projekteve nga fondi për investim në Ballkanin Perëndimor dhe pezullimin e financimit të programeve të BE-së.
Kjo është bërë e ditur gjatë kësaj jave nga drejtori i përgjithshëm për zgjerim i Komisionit Evropian, Jan Koopman, i cili ka theksuar se masat janë të kthyeshme nëse ndërmerren hapa drejt shtensionimit të situatës.
Për ish-ambasadorin e Holandës, është e paqartë pse të gjithë këto bëhen kundër Kosovës, kur është Serbia shteti që po i krijon të gjitha problemet.
Në fillim të muajit qershor, i dërguari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar dhe emisari i Bashkimit Evropian, për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak i kanë prezantuar tri kërkesa kryeministrit Kurti: Qetësimi i situatës në veri, mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe kthimi në dialog.
Bosch thekson se zgjedhjet në katër komunat veriore duhet të mbahen sa më shpejtë që është e mundur.
Situata në veri të Kosovës është tensionuar prej 26 majit, kur kryetarët e zgjedhur janë detyruar të shkojnë në vendet e tyre të punës nën asistimin e Policisë së Kosovës.
Prej atëherë para ndërtesave komunale po qëndrojnë protestues serbë, të cilët po kundërshtojnë kryetarët shqiptarë.
Gjatë kësaj kohe, protestuesit në veri, në mesin e tyre edhe të tillë me maska, kanë sulmuar pjesëtarë të Policisë së Kosovës, KFOR-it si dhe gazetarët, të cilët po raportojnë nga pjesa veriore e vendit.
E pas këtyre, forcat serbe kanë rrëmbyer tre policë kufitarë të Kosovës, brenda territorit të vendit tonë, të cilët i ka mbajtur për gati dy javë.
Ata janë liruar vetëm pas një presioni nga ndërkombëtarët, në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania.
Diplomati nga Holanda thotë se duhet të ketë rend dhe ligj edhe në pjesën veriore të Kosovës.
Policia e Kosovës po vazhdon të kujdeset për objektet komunale në veri të vendit, derisa vazhdon edhe prezenca e ushtarëve të KFOR-it.
Bosch vlerëson se trupat paqeruajtëse duhet të vazhdojnë të qëndrojnë atje.
Kosova dhe Serbia janë dakorduar për marrëveshje bazë më 27 shkurt në Bruksel, ndërsa janë pajtuar edhe për aneksin e saj më 18 mars në Ohër.
Ndryshe nga presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, i gatshëm për të nënshkruar e zbatuar marrëveshjen në plotni ka qenë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ndërsa, lidhur me Asociacionin, Bosch shprehet se Kosova duhet ta formojë atë në përputhje me kushtetutën e vendit dhe “nëse serbët nuk janë të lumtur, është problem i tyre”.
Lajmi i plotë është në sistemin me parapagim.
Pas paralajmërimeve të BE-së për ndëshkime ndaj Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka reaguar duke thënë se sa i përket vlerave evropiane, vendi ynë është prej partnerëve më të sinqertë dhe të qëndrueshëm në rajon.
E lidhur me kërkesat për shtensionim të situatës, shefi i ekzekutivit ka shprehur gatishmërinë për uljen e numrit të policëve në ndërtesat komunale në veri, por duke theksuar se kjo bëhet në proporcion me vendosjen e rendit në atë pjesë.
Në këtë mënyrë, sipas tij, do të hapet edhe rruga për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Top Channel