Kanceri shkaktoi afro 10 milionë vdekje në mbarë botën në vitin 2020. Shkaqet e tjera më të zakonshme të vdekjes nga kanceri përfshijnë zorrën e trashë dhe rektumin, mëlçinë, stomakun dhe gjirin.
Nëse zbulohet herët dhe trajtohet në mënyrë efektive, shumë kancere mund të kurohen. Aktualisht, trajtimi i kancerit zakonisht përfshin kirurgji, radioterapi, kimioterapi, trajtime hormonale dhe terapi biologjike të synuara. Një regjim specifik trajtimi ndiqet për çdo lloj kanceri. Studiuesit japonezë kanë zhvilluar një metodë të re për trajtimin e llojeve të shumta të kancerit.
Terapia e re e alfa-grimcave të synuara nga tumori mund të trajtojë në mënyrë gjenerike disa lloje kanceri, me më pak efekte anësore negative sesa metodat e disponueshme aktualisht, thanë studiuesit. Rezultatet e studimit të tyre u botuan së fundmi në Chemical Science.
Vetëm një injeksion mund të eliminojë qelizat tumorale
Studimet e mëparshme kanë treguar praninë e një përbërësi të quajtur akroleinë në qelizat e kancerit, të cilat pothuajse mungojnë në qelizat e shëndetshme. Fillimisht, ekipi i Tanaka zhvilloi një teknikë për të identifikuar qelizat e kancerit, duke përdorur një përbërje fluoreshente dhe një lloj azidi specifik. Kur azidi dhe akroleina takohen, ato reagojnë dhe përbërja fluoreshente ndriçon qelizat e kancerit në trup. Teknika thjesht ndihmon në zbulimin e qelizave kancerogjene.
Në teknikën e re, në vend që të lidhnin azidin me një përbërje fluoreshente, ata e lidhën atë me astatine-211, një radionuklid që lëshon grimca alfa dhe vret qelizat e kancerit pa dëmtuar qelizat përreth.
Si një studim provë e konceptit, ata testuan trajtimin tek minj të implantuar me qeliza të tumorit të mushkërive njerëzore. Ata zbuluan se tumoret u rritën pothuajse tre herë më pak dhe të gjithë minjtë mbijetuan, kur sonda astatine-211-azide u injektua në tumor. 80 për qind e minjve mbijetuan kur sonda astatine-211-azide u injektua në qarkullimin e gjakut.
Një injeksion tumori me vetëm 70 kBq radioaktivite,t mund të synojë dhe eliminojë në mënyrë efektive qelizat e tumorit, deklaroi studiuesi kryesor Katsunori Tanaka nga RIKEN Cluster i Japonisë për Kërkime Pioneerike (CPR). Tanaka drejtoi studimin së bashku me Hiromitsu Haba në Qendrën RIKEN Nishina, për Shkencën e Bazuar në Përshpejtues (RNC).
“Kjo metodë e re mund të përdoret për të trajtuar shumë lloje të kancerit pa ndonjë vektor të synuar, siç janë antitrupat ose peptidet”, shtoi Tanaka.
Studiuesit japonezë tani po kërkojnë një partner për të filluar provat klinike për të trajtuar kancerin te njerëzit duke përdorur këtë metodë të re.
Top Channel