Policia greke ka gjetur një plantacion kanabis në zonën kufitare mes Greqisë dhe Shqipërisë në Bashkinë e Filatit në Thesproti.
Sipas autoriteteve greke, njësitë speciale të saj që ndodhen në zonën e kufirit kishin pikasur zonën e cila ishte shpyllëzuar dhe në vazhdim mbjellë me 2000 fidanë me kanabis.
Policia dyshon se pronarët e këtij plantacioni janë shtetas shqiptarë nga zona e Konispolit ose fshatrave kufitare shqiptare që hyjnë në territorin grek duke shfrytëzuar faktin se zona në të cilën u gjetën bimët narkotike pa banuar dhe është shumë e pyllëzuar.
Policia thotë se shtetasit shqiptarë kanë njohuri për mbjelljen e kanabisit por për shkak të masave të rrepta monitoruese prej policisë shqiptare në territorin e vendit tone, zgjedhin të kalojnë kufirin dhe të mbjellin në tokën greke.
Bandat shfrytëzojnë edhe faktin se policia greke nuk ka mundësi të monitorojë në terren qindra kilometra vijë kufitare mes dy vendeve, por edhe për faktin se dënimet për kultivimin e kanabisit në Greqi janë edhe më të ulëta sesa në vendin tonë.
Afërsia e plantacioneve me vijën kufitare, bën që ata të largohen me shpejtësi drejt Shqipërisë nëse pikasën prej antidrogës greke.
Burime policore i thanë Top Channel se autoritetet helene janë vënë në alarm dhe po monitorojnë nga ajri zonat e largëta kufitare mes dy vendeve, pasi kanë informacione se në këto zona janë mbjellë sasi të mëdha të kanabisit.
Top Channel