Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço ka rrëfyer për emisionin “Top Story” sekretet e përgjimit në Shqipëri.
Nga syzet tek karficat, orat, celulari, gozhdët e thonjtë artificial me kamerë brenda, tregu shqiptar i përgjimit ka avancuar, sipas Karamuços, dhe dita ditës shihet një uri tepër e madhe për të përgjuar njeri-tjetrin.
Për “Top Story”, eksperti i kriminalistikës tha se dedektivi privatë është një profesion që duhet të ligjërohet në Shqipëri. “Duhet me patjetër të vendosen në shinat e ligjit të gjitha këto pajisje”, të cilat i shiten kujtdo në tregun e zi, tha Karamuço.
Pjesë nga debati:
Grida Duma: Si është e mundur që gjithë kjo skemë luhet në të gjithë këtë nivel të sofistikuar mjetesh përgjuese dhe bëhet kaq rehat, kaq lirshëm, me këtë lloj strukturimi. Kjo e Alma K. hynë në përgjimet e shtrenjta në krahasim me të tjerët apo jo?
Karamuço: Është një realitet i frikshëm, është një treg illegal, sepse të përgjosh një person, të marrësh pajisjet dhe t’ua vendosësh në makinë sikurse po ndodh rëndom me të ashtuquajturit dedektiv privat, ke konsumuar 6 vepra penale.
Nëse mblidhen bashkë këto 6 vepra, janë më shumë se 20 vite burg. Që nga përndjekja, sepse ka pasur raste kur burri dhe gruaja i thonë njeri-tjetërit që “do të përgjojë, do të përndjek kudo”… Ajo frika është një lloj përndjekje sepse ti je në shantazh dhe në trysni gjithë kohën se çfarë po ndodh me ty. Ka edhe nga këta që janë shumë të dhënë ndaj këtyre. Për të kaluar pastaj tek shitja e kartave SIM. Sepse shumica e tyre kanë kartë SIM që e përdorin për transmetime, që nga ato GPS-et që ne i përdorim rëndom dhe ja vendosim dikujt për të marrë vesh se ku shkon ai. Edhe për atë ka vepër penale, është 3 vjet burg. E për të vijuar pastaj me ndërhyrjen në jetën private, e keqpërdorimin e pajisjeve, ndërhyrja në sistem, përgjimi i paligjshëm, janë 6 vepra.
Tani unë them që këtu ka dyqane dhe një treg informal, duke filluar që nga syzet, e për të vijuar me karficat, orat dhe celulari po e po sepse është armiku ynë më i madh po e mbajte ashtu… Krahas këtyre ka edhe gozhda sot, gozhda të vogla. Kanë ardhur vida që t’i po i mbajte ashtu, i merr dhe vendos në një vend, ato janë kamera. Do vijnë shumë shpejt ajo që po ndodh sot në Evropë dhe është kthyer në një sfidë të madhe, thonjë artificial me kamerë brenda. Pra ç’është kjo uri kaq e madhe e këtij tregu për të përgjuar njeri-tjetrin. Ne mund të përgjojmë, por marrim përgjegjësi penale mbi veten.
Unë kam folur me shumë dedektiv privatë, për mua është një profesion që duhet të ligjërohet në Shqipëri. Janë bërë shumë tentative. Deputeti Jenisheri, në mos të gaboj, e propozoi në parlament dhe nuk iu miratua në atë kohë. Duhet me patjetër të vendosen në shinat e ligjit të gjitha këto pajisje.
Top Channel