Krerët e BE-së mblidhet sot dhe nesër në Bruksel për një takim që në fokus do të ketë procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, situatën e sigurisë në Kosovë dhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Në këtë takim, që përkon me 20-vjetorin e Samitit të Selanikut ku u dha premtimi për perspektivën europiane të rajonit, pritet të përsëritet përkushtimi ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe të përcillet njëkohësisht shqetësimi i thellë i bllokut nga tensionet e rritura në veri të Kosovës, ku serbët lokalë protestojnë që nga fundi i  majit kundër kryetarëve shqiptarë të 4 komunave atje.

Burimet diplomatike presin që udhëheqësit evropianë t’u bëjnë thirrje dy vendeve që t’i ulin menjëherë tensionet dhe t’i kthehen dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Në rast se nuk dëshmojnë vullnet për sjellje të matur dhe konstruktive, pritet t’u tërhiqet vërejtja për pasojat. Drafti i dokumentit që pritet të miratohet në takimin e liderëve të BE-së tregon se KE-ja do të kërkojë masa të shpejta për uljen e tensioneve dhe për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Dështimi në uljen e tensioneve do të ketë pasoja negative”, thuhet në këtë tekst. Brukseli paralajmëroi se gjatë kësaj jave do të komunikojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat blloku i ka përgatitur për shkak se Prishtina nuk i ka ndërmarrë hapat e kërkuar për ç’tensionimin e situatës në veri.

Mes tyre është pezullimi i punës së të gjitha grupeve të angazhuara për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA), pezullimi i financimit të programeve të BE-së, mosmiratimi i projekteve nga Fondi për investim në Ballkanin Perëndimor si dhe pezullimi i takimeve në nivele politike. I dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak u shpreh se po punohet me dy opsione për shpalljen e zgjedhjeve të reja. Opsioni i parë, sipas tij, është më i lehtë dhe ka të bëjë me mundësinë e dorëheqjes së kryetarëve të rinj të komunave në veri.

Opsioni tjetër, sipas Lajçakut, politikisht është më i përshtatshëm pasi largimi i kryetarëve do të bëhej përmes një kërkese të nënshkruar nga qytetarët. Kritikave për anshmëri dhe “përkëdhelje” të Beogradit, Lajçak iu përgjigj duke insistuar se e po e kryen “mandatin në mënyrë të paanshme” dhe se “po kritikohet nga të dyja palët”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA