Artan (Marius) Tafani është autori i grabitjes së ndodhur katër ditë më parë në një pikë të këmbimit valutor në zonën e Astirit.

39-vjeçari është shpallur në kërkim nga policia ndërsa ishte dënuar më parë për të njëjtën vepër penale. Në kuadër të operacionit “Round”, u arrestua E. M., 35 vjeç, i cili ka vënë në dispozicion autorit një garazh automjetesh, dhe me veprimet dhe mosveprimet e tij ka penguar zbulimin e së vërtetës, duke pretenduar se nuk e njeh personin që ka në posedim garazhin.

“Tiranë/Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur me datë 24.06.2023, ku në Unazë të Re, një shtetas nën kërcënimin e armës, vodhi një shumë parash. Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 6 operacioni policor i koduar “Round”, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar i ngjarjes, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale. Vihet në pranga një shtetas i cili me veprimet e tij ka penguar zbulimin e ngjarjes, nga punonjësit e Policisë. Sekuestrohen biçikleta dhe veshjet që autori dyshohet se i ka përdorur gjatë kryerjes së krimit, si dhe një automjet i vjedhur.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të ngjarjes së ndodhur me datë 24.06.2023, kanë vijuar punën intensive me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit të kësaj ngjarje dhe personave të tjerë të implikuar, si dhe vënies së tyre përpara përgjegjësisë ligjore. Në vijim të veprimeve intensive hetimore, bazuar dhe në provat e grumbulluara dhe informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Round”.

Në kuadër të këtij operacioni u shpall në kërkim autori i dyshuar i kësaj ngjarje, shtetasi A. (M). T., 39 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale. Gjithashtu u bë arrestimi i shtetasit E. M., 35 vjeç, banues në Fier. Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasi A. (M). T., më datë 24.06.2023, në Unazë të Re, është futur në një pikë për transferta parash dhe këmbimi valutor, dhe nën kërcënimin e një arme zjarri pistoletë, ka marrë një shumë parash është larguar me një biçikletë. Shtetasi E. M., i ka vënë në dispozicion autorit të dyshuar një garazh automjetesh, dhe me veprimet dhe mosveprimet e tij ka penguar zbulimin e së vërtetës, duke pretenduar se nuk e njeh personin që ka në posedim garazhin. Gjatë kontrollit të garazhit u gjetën biçikleta dhe veshjet e përdorura nga autori gjatë ngjarjes, si dhe një automjet që rezulton i vjedhur me datë 23.02.2023, në Shijak, Durrës. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.”- njofton policia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA