Koreanët e Jugut bëhen më të rinj brenda natës, pasi qeveria heq me ligj “moshën koreane”

Më shumë se 51 milionë njerëz në Korenë e Jugut u zgjuan duke u gdhirë e mërkurë 1-2 vjet më të rinj, të paktën sipas ligjit.

Sipas legjislacionit që hyri në fuqi të gjithë qytetarët do të regjistrohen  sipas sistemit të “moshës ndërkombëtare” të përdorur nga pjesa më e madhe e botës, duke i dhënë fund debateve të përvitshme rreth problemeve që shumta që shkaktonte numërimi ndryshe i viteve të jetës, sipas asaj që quhet sistemi i “moshës koreane”.

Standardizimi i moshave do të minimizojë konfuzionin në marrëveshjet e ndryshme sociale”, tha të hënën Lee Wan-Kyu, Ministri i Legjislacionit në Qeverinë e Koresë së Jugut, në një konferencë për shtyp.

Ligji, i miratuar nga Parlamenti i Koresë së Jugut dhjetorin e kaluar, gjithashtu pritet të “ulë shumë kostot sociale që kanë qenë të panevojshme për shkak të përdorimit të përzier të standardeve të moshës,” tha Lee, duke shtuar se ky kishte qenë një premtim i madh nga presidenti Yoon Suk-Yeol, i cili mori detyrën majin e kaluar.

Tre sisteme të numërimit të viteve të jetës

 Në Korenë e Jugut, me “moshë ndërkombëtare” i referohen kur numërimi i viteve të jetës nis nga zero. Pra kur një bebe lind është zero vjeç dhe pas një viti kalendarik bëhet 1 vjeç e kështu me radhë – i njëjti sistem që përdoret në shumicën e vendeve të tjera të botës.

Ndërsa kur i referohen “moshës koreane”, atëherë numërimi ndryshon nga sistemi që gjithë bota njeh. Sipas traditës që i ka rrënjët në Kinë, foshnjat në “moshën koreane”  konsiderohen 1 vjeç ditën kur lind dhe çdo 1 janar të shtohet nga një vit.

Në disa raste në Korenë e Jugut përdoret dhe sistemi i numërimit të përzier; “mosha ndërkombëtare” me “moshën koreane”. Që do të thotë: Fëmija lind zero vjeç por çdo 1 janar i shtohet një vit.

Për ta kuptuar më thjeshtë marrim shembullin e këngëtarit të “Gangam Style”, kënga që theu çdo rekord botëror. I lindur më 31 dhjetor 1977 ai konsiderohet 46 vjeç sipas “moshës ndërkombëtare”, 47 sipas “moshës koreane” dhe 45 sipas miksimit të “moshës ndërkombëtare” me atë koreane.

Nëse akoma kjo gjë tingëllon shumë konfuze e tillë është edhe në jetën e përditshme brenda dhe jashtë Koresë së Jugut kur qytetarët duhet të kalojnë përmes sistemeve të ndryshme administrative.

Edhe pas ligjit që standardizon moshën, disa qytetarë ka të ngjarë të vazhdojnë të përdorin sistemin tradicional të numërimit të viteve të jetës që njihet si sistemi i “moshës koreane” që shpjeguam më lart, ama shumica e tyre e kanë mirëpritur ndryshimin e ligjit.

Në një sondazh të Ministrisë së Legjislacionit, 86.2% e të anketuarve kishin thënë se do të përdornin sistemin ndërkombëtar të moshës. Dhe kjo shënon një fitore për ligjvënësit që kanë kaluar vite e vite duke bërë fushatë për të standardizuar moshën ndërkombëtare, në Korenë e Jugut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA