Mes rebelimit të Wagnerit që tronditi Rusinë e lëkundi bindjen e paprekshmërisë së Vladimir Putini, forcat ukrainase e kanë ashpërsuar kundërofensivën e tyre duke rikthyer kontrollin e 130 kilometrave katrorë në jug, e pohuar kjo nga zëvendësministrja ukrainase e Mbrojtjes, Hanna Malyar.

Përmes një postimi në Telegram, zyrtarja e lartë sqaroi se ushtria ukrainase vazhdon të avancojë në Melitopol dhe Berdjansk, që gjenden në rajonin Zaporizhja, pavarësisht rezistencës së ashpër ruse dhe humbjeve “të konsiderueshme” në njerëz dhe pajisje. Sipas saj, përgjatë fundjavës, zona e territoreve të çliruara u rrit me  17 kilometra katrorë.

“Në total, prej nisjes së kundërofensivës, zona e çliruar në jug shkon në 130 kilometra katrorë”, deklaroi ajo. Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase njoftoi në raportin e tij ditor se forcat ukrainase kanë zmbrapsur me sukses sulmet ruse në rajonet e Donjeckut dhe zonat përreth.

Presidenti Volodymir Zelensky e diskutoi një ditë më parë kundërofensivën me shefin e Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden, e pohoi se palët i kanë koordinuar “pozicionet e tyre” para samitit të NATO-s që mbahet më 11-12 korrik në Lituani. Ministria britanike e Mbrojtjes thotë se forcat e Kievit janë nxjerrë mësime nga përvoja jo shumë e mirë e dy javëve të para të kundërofensivës dhe i kanë përmirësuar taktikat e tyre ndaj forcave agresore ruse.

Tre zyrtarë të lartë ukrainas sinjalizuan të premten se pjesa kryesore e kundërsulmit ndaj trupave të Moskës, nuk ka filluar ende.

Top Channel