Biden urdhëron ekipin e sigurisë kombëtare të monitorojë ngjarjet në Rusi: Raportim “orë pas ore” që të përgatitemi për skenarët

26/06/2023 18:33

Presidenti Joe Biden ka deklaruar se SHBA dhe aleatët perëndimorë nuk kishin “asgjë të bënin” me ngjarjet e së shtunës në Rusi, ku shefi i Wagner Yevgeny Prigozhin dyshohet se nxiti një rebelim të armatosur kundër Kremlinit.

Biden udhëzoi ekipin e sigurisë kombëtare që të monitorojë nga afër ngjarjet e së shtunës në Rusi dhe t’i raportojë atij “orë pas ore” me qëllim përgatitjen e SHBA-së për një sërë skenarësh.

Mesazhi i udhëheqësit amerikan vjen pas një bisede telefonike me aleatët kryesorë të SHBA gjatë fundjavës.

“Është kritike që ne të jemi të koordinuar në përgjigjen tonë dhe atë që duhet të parashikojmë”- tha Biden, duke shtuar se të gjitha palët ranë dakord se “duhej të siguroheshim që të mos i jepnin Putinit asnjë mundësi për t’u justifikuar duke fajësuar Perëndimin apo të fajësojë NATO-n për këtë”.

“Ne e bëmë të qartë se nuk ishim të përfshirë. Nuk kishim të bënim me të. Kjo ishte pjesë e një lufte brenda sistemit rus,” shtoi ai.

Top Channel