​Sveçla takon tre policët e liruar: Serbia duhet të gjykohet për agresionin e saj

26/06/2023 17:21

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka pritur në takim tre policët, të cilët mbaheshin në qeli nga Serbia.

Sveçla u shpreh se ky rast ishte i planifikuar dhe Serbia duhet të gjykohet për agresionin e saj.

“Që të tre zyrtarëve policorë në seancën e sotme gjyqësore në Kralevë i’u është konfirmuar aktakuza dhe janë liruar me procedurë të rregullt, ç’ka nënkupton se ndaj të njëjtëve do të vijojnë thirrjet dhe përndjekjet nga Serbia. Gjendja e tyre shëndetësore fizike është relativisht e mirë por me vullnet të fortë dhe kurajë për të vazhduar detyrën në mbrojtje të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Tre policëve të cilët u liruan sot, Sveçla u ka ofruar mbështetjen e gjitha institucioneve të Kosovës.

“Ministri Sveçla shprehu mbështetjen e të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës duke theksuar përkushtimin që ky rast i paprecedentë i Serbisë të mos kalojë pa përgjegjësi. Ky rast i montuar ndaj pjesëtarëve të Policisë duhet të mbyllet pa kushte dhe në tërësi. Serbia duhet të gjykohet për agresionin e saj”, shkruhet në komunikatë.

Policët kufitarë, Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Mustafë Shema, u rrëmbyen nga forcat serbe në 14 qershor, teksa ishin në detyrë zyrtare në Kosovë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA