Të gjitha notat 10-a/ Samantha që u bë kryefjalë e mediave italiane: Jam nga Maminasi, vij në Shqipëri çdo vit

22/06/2023 14:39

Samantha Gjeci 17-vjeçarja me origjinë Shqiptare, ka pushtuar faqet e para të mediave italiane për shkak të rezultateve të larta që ajo ka marrë dy vitet e fundit në shkollë.

Ajo sapo ka mbaruar vitin e katërt në gjimnazin Canova në Trevisos dhe cilësohet si studentja model pasi të gjitha lëndët e saj në dëftesë i ka 10-a.

Samantha ka qenë në një lidhje direkte me emisionin “Shqipëria Live”, e cila ka folur më shumë për jetën e saj në Itali dhe se si ndihet që ka pushtuar faqet e para të mediave italiane.

17-vjeçarja tregon se që e vogël ka mësuar dhe për këtë gjë vlerëson edhe motrën  e saj e  cila e ka ndihmuar. Madje Samantha tregon që është disi e vështirë për të që t’i mbajë të gjitha notat 10-a dhe ndjen presion sepse nuk dëshiron që të zhgënjejë profesorët e saj, pasi ata kanë pritshmëri të larta për të. Sipas 17-vjeçares edhe pse ka qenë një studente e mirë gjatë gjithë viteve shkollore, beteja për t’i patur të gjitha notat 10-a, ka filluar që vitin e kaluar dhe është përpjekur që të mësojë fort.

Cila është nota më e ulët që ke nisur këtë sfidë?

Samantha: Nuk e mbaj mend me thënë të drejtën, por pak a shumë 9 dhe 10 edhe ndonjë 8.

Sa orë në ditë studion?

Samantha: Nuk di t’jua them me saktësi, besoj 3-4 orë në ditë, varet nga lëndët që kam.

Pjesën tjetër të ditës si e shpenzon?

Samantha: Mua më pëlqen të lexoj. Më pëlqen të dal me shoqet e kushërirat. Më pëlqen të dëgjoj muzikë sidomos muzika shqiptare.

A bullizohesh nga nxënësit e tjerë?

Samantha: Nuk më ka ndodhur sepse tek shkolla ime që të mësosh shumë është një lavdërim dhe nxënësit përpiqen të mësojnë sa më shumë.

Përsa i përket të studimeve të saj në vazhdim, Samantha thotë se ka vendosur të qëndrojë në Itali për momentin sepse ka shumë mundësi dhe universitete të mirë.

E pyetur nëse vjen shpesh në Shqipëri, Samantha tregon se vjen çdo vit për të kaluar pushimet e verës dhe zbulon se është nga Maminasi.

“Vij çdo vit në Shqipëri, i kaloj pushimet verore. Më pëlqen shumë Shqipëria e mesme, jam nga Maminasi. Më pëlqejnë e qytete e jugut, Saranda, Ksamili”, tregon Samantha.

Samantha ka folur edhe për familjen e saj. Ajo tregon se ka lindur në Itali, ndërsa babai i saj ka shkuar në Itali para 30 vitesh me varka që niseshin nga Vlora në vitet 1991-1992. Sipas saj udhëtimi për në Itali ka qenë i rrezikshëm dhe fillimi i një jete në Itali ka qenë shumë i vështirë për të atin. Nënën e saj, babai e ka takuar në Shqipëri dhe pas disa vitesh ajo arriti të shkonte në Itali dhe të bashkohej me bashkëshortin.

Top Channel