“A i është dashur letërsia botës?”- ngrinte pyetjen shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare në një forum botëror të letërsisë në Mynih në vitin 1992.

Mijëra vjet më parë ishte e pamundur të parashikohej që do vinte një botë ku mendja njerëzore do të prodhonte zëvendësuesin e saj; inteligjencën artificiale. Me zhvillimet e mëdha teknologjike, përgjigja e pyetjes, “A i është dashur letërsia botës?”, duket se anon më shumë në lobin kundër. Njerëzimi po lexon letërsi gjithnjë e më pak. Në përpjekjen për ta ekuilibruar së paku peshoren për ata që ende besojnë te letërsia e mirë, po ju sjellim tri libra dhe tri arsye nga tri femra që letërsinë e kanë dashur dhe e duan pa ia bërë vetes asnjëherë pyetjen Pse?

Alda Bardhyli, Drejtore e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit

Gabriel Garsia Markez – “Vjeshta e Patriarkut”

Përktheu: Mira Meksi

Është një nga veprat që vetë Markez e ka dashur më shumë. Kisha lexuar mbi ekzistencën e këtij romani në kujtimet e shkrimtarit, torturën që ai jetonte gjatë kohës që shkruante këtë libër, apo në rrëfime autorësh të njohur të këtij shekulli, por njohja me këtë vepër në gjuhën shqipe, ishte nga ato lexime që krijojnë hapësira të reja gjykimi brenda teje.

Annie Ernaux – “Vitet”

Përktheu: Klarita Lagji

Annie Ernaux është një shkrimtare që do ta rekomandoja për tu lexuar në gjithë  botimet e saj në gjuhën shqipe. Me një stil të thjeshtë rrëfimi, ajo shpalos para nesh gjithë brendësinë njerëzore, duke e bërë atë aq të mahnitshme, dhe pse mund të jetë një pjesëz nga jeta e gjithsecilit prej nesh. Ky roman është një afresk autobiografik. Annie Ernaux na përshkruan Çlirimin, Algjerinë, mëmësinë, de Gaulle-in, 68-ën, emancipimin e gruas, Mitterrand-in; e më pas përparimin e prodhimit të mallrave, përpjekjet drejt konformizmit, hyrjen e internetit, 11 shtatorin, rizbulimin e kënaqësisë.

Orhan Pamuk – “Çudia në mendjen time”

Përktheu: Xhemile Abdiu

Orhan Pamuk ka aftësinë ta bëjë të paharrueshëm çdo lexim, duke shpalosur në çdo libër një Stamboll gati të ri, në tablotë që përshfaq.  Me kërkimin e përhershëm të dashurisë, Pamuk ngre në këtë libër pyetje mbi shoqëritë e sotme,  periferitë apo fatin.

Loreta Berhami, botuese

David Foenkinos – “Numri dy”

Përktheu: Angjelina Jaku

Më 1999, u zhvillua audicioni për gjetjen e aktorit kryesor që do të luante rolin e Herri Poterit, rol që do ta shndërronte djaloshin fitues në njeriun më të famshëm në botë. Qindra kandidatë morën pjesë në atë audicion, por në fund mbetën vetëm dy.

Ky roman tregon historinë e djalit që nuk u zgjodh. Kjo histori na mëson se ndoshta nuk është kurrë vonë që njeriu të marrë në dorë frerët e jetës së vet, ndonëse sot, më shumë se kurrë jemi pre e diktaturës së lumturisë së të tjerëve.

Jane Austen –“Bindja”

Përktheu: Esmeralda Cavo

Romani i fundit i Jane Austen-it rrëfen historinë e dashurisë mes kapitenit Uentuorth dhe Ana Eliot-it, një dashuri e penguar nga familja e saj aristokratike për shkak të prejardhjes shoqërore të të dashurit. Të gjitha çështjet në roman, mbi pozitën, dukjen, përpjekjet për të thënë e për bërë gjënë e duhur, janë stërmundime të vazhdueshme për të ruajtur ekuilibrin në tehun e briskut.

Bindja na rrëfen dhimbjen që shkakton nënshtrimi ndaj rregullave shoqërore arbitrare dhe ndërgjegjësimin e një gruaje për dëshirat e zemrës së saj.

Lara Prescott  – “Të padukshmet”

Përktheu: Gjergj Kaftani

Në këtë roman ndërthuren e rrëfehen historia e vërtetë dhe e paligjshme e dashurisë mes Boris Pasternakut dhe Olga Vsjevollodovnës, dhe historitë e dy vajzave, në dukje më se të zakonshme, por me misionin sekret që të nxjerrin dorëshkrimin e romanit “Doktor Zhivago” nga Bashkimi Sovjetik, ku askush nuk guxon ta botojë. Homazh për një kohë kur “pandehnim se letërsia mund të ndryshonte rrjedhën e historisë”.”

Arlinda Dudaj, botuese

Valerie Perrin –“Lulet e shpirtrave”

Përktheu: Margarita Skënderaj

Është një libër emocional, që duket sikur flet për të ikurit, por është një odë për jetën. Një libër që të mban pas vetes dhe të jep ndjesi sa të dhimbshme po aq edhe të mrekullueshme për kuptimin dhe vlerën që ka jeta, dashuria por dhe humbja.

Ashley Audrain – “Dyshimi”

Përktheu: Ilir Pustina

Një libër thriller por që trajton shumë bukur temën e mëmësisë. Në qendër është një fëmije i çuditshëm që fsheh brenda vetes një botë të padukshme, por që nuk mund ti shpëtoje syrit të nënës që e kupton qysh në krye të herës që kjo fëmije ka diçka sa te ndryshme po aq edhe te frikshme ne krahasim me femijet e tjere.

Jo Nesbo –“Leopardi”

Përktheu: Agim Doksani

Nga libri i gjashtë në radhën e serisë me Harri Hole, komisarin inteligjent e me zemër të madhe, por edhe me një jetë të vështirë në sfond, e cila i rikthehet shpesh në kujtime të dhimbshme që e mundojnë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA