Partia Demokratike thërret sot, Këshillin Kombëtar, organin më të lartë vendimmarrës për t’i hapur rrugë zgjedhjes së kreut të ri të kësaj force politike.

Gazetarja e Top Channel, Kristi Gongo raporton për vendimet që pritet të marrë Këshilli Kombëtar.

“Anatarët e Kryesisë së Partisë Demokratike, e udhëhequr nga Enkelejd Alibeaj, duket qartazi se janë në krah të grupimit Basha, kanë thirrur mesditën e kësaj të marte mbledhjen e Këshillit Kombëtar.

Mbledhja është bojkotuar nga 17 deputetë, anëtarë të Kryesisë së PD-së, të cilët edhe ditën e djeshme përmes një deklarate për shtyp të Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj force politike, Gazment Bardhi, e konsideruan thirrjen e Këshillit Kombëtar si antistatutore. Bardhi sqaroi se për organizimin e kësaj mbledhje është anashkaluar posti i Sekretarit të Përgjithshëm, për të marrë vendime dhe miratimin e të gjithë mbledhjes së Këshillit Kombëtar.

Në rendin e ditës të Këshillit Kombëtar që do të mbahet ditën e sotme është parashikuar të diskutohet vetëm për miratimin e anëtarëve të Komisionit Zgjedhor, i cili është përgjegjës për miratimin e të gjithë procesit zgjedhor që pritet të organizohet më datën 29 korrik në Partinë Demokratike për të zgjedhur liderin e ri të kësaj force politike.

Ndërkohë janë propozuar 7 anëtarë që do të kalojnë në votim për Komisionin Zgjedhor të PD-së, me kryetar Jemin Gjanën, i cili ka kryesuar edhe zgjedhjet e vitit 2021 në këtë forcë politike.

Do shihet si mund të shkojë procesi zgjedhor ditën e sotme. Megjithatë është absurde se si ky Komision Zgjedhor pritet të ngrihet në ditën e fundit të afateve për paraqitjen e kandidaturave për kryetarin e ri të PD-së”- tha Gongo.

Në referencë të kandidaturave për postin e kryetarit të Partisë Demokratike, gazetarja Gongo raporton se nuk ka ndonjë tjetër aspirant, megjithatë pritet për t’u parë deri në përfundim të afatit.

“Në fakt deri më tani nuk ka kandidatura zyrtare për kreun e ri të Partisë Demokratike. Ajo që mund të themi është se vetë Lulzim Basha ka shprehur në një farë mënyre ambicjen për t’u rikthyer në krye të PD-së, por sërish nuk kemi një kandidaturë zyrtare.

I vetmi emër që ka shprehur haptazi dëshirën për t’u zgjedhur kryetar i PD-së ka qenë një mik i zotit Enkelejd Alibeaj, Gjergj Hani. Ai është një figurë e re, jo shumë e dëgjuar, por që vjen nga shtresa e të përndjekurve politik. Mbetet për t’u parë ditën e sotme, deri në orën 00:00 që mbaron afati i dorëzimit të kandidaturave për një tjetër aspirant”- raporton Gongo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA