Nuk kanë dalë ende rezultatet e analizave të ndotjes mjedisore në impiantin e trajtimit të ujërave të ndotura në Shënavlash të Durrësit.
Në pritje të tyre, impianti që u përball me një situatë emergjente për shkak të ndotjes që vërshoi në të mërkurën e kaluar, u detyrua të nisë punën në fundjavë dhe të ndërpresë derdhjen në det të ujërave të zeza.
Përmes autoboteve të një kompanie private u bë pastrimi i ndotjes me mbetje hidrokarburesh. Për realizimin e pastrimit u mor një leje paraprake nga autoritetet mjedisore dhe mbrojtjes së territorit, pasi vonesat në daljen e rezultatit të analizave po përshkallëzonin më tej nivelin e ndotjes dhe dëmeve në mjedis e impiant.
E ndërsa priten përgjigjet e analizave nga ISHTI për të vlerësuar llojin e ndotjes dhe përcaktuar vendin dhe natyrën e ndërhyrjes për demolimin (shpërbërjen, shkatërrimin) e saj, ndotja do të vijojë të mbahet e bllokuar në autobote brenda territorit të impiantit. Hetimet e deritanishme për zbardhjen e origjinës së kësaj ndotjeje dhe identifikimin e përgjegjësve që e shkaktuan nuk kanë dhënë ende rezultat.
Mëngjesin e së mërkurës së kaluar, punonjësit e Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Ndotura në Shënavlash të Durrësit u përballën me një ndotje të pazakontë me mbetje hidrokarburesh e cila vërshoi në pajisjet në hyrje të impiantit duke dëmtuar një pjesë prej tyre. Kjo situatë çoi në ndërprerjen e punës së impiantit për disa ditë dhe derdhjen e ujërave të ndotura të pa trajtuara në det.
Sipas shoqërisë rajonale të Ujësjellës Kanalizimeve Durrës, ndotja erdhi nga rrjeti i kanalizimeve të zonës së plazhit, po deri tani nuk është gjetur vatra e kësaj ndotjeje që qarkulloi nga kanalet drejt impiantit dhe shkaktoi ndërprerjen e punës në të. Hetimet vazhdojnë, ndërsa po bëhet edhe verifikimi i dëmeve të shkaktuara nga kjo ndotje e rëndë mjedisore në stacionet e pompimit dhe në impiant.
Top Channel