Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për situatën e tensionuar në veri të Kosovës, duke u dërguar mesazh kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Ai paralajmëroi prishje të marrëdhënies Shqipëri-Serbi, nëse tre policët e Kosovës nuk lirohen, ndërsa ka ripostuar thirrjen e Departamentit Amerikan të Shtetit ndaj Serbisë, ku kërkohet lirimi i tyre.

“Sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa! Kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen!”, i është drejtuar Rama presidentit serb me një mesazh në Twitter.

Kreu i qeverisë thotë se ka ngelur pak kohë për të qetësuar gjendjen dhe sa kohë kryeministri kosovar këmbëngul kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet.

 “Nga ana tjetër nëse de-eskalimi nuk ndodh e humbura e madhe do të jetë Kosova – sepse Serbia mbase nuk jeton dot pa u ri-izoluar! Druaj shumë se sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFORin në krye të punës! E atëherë lamtumirë për kushedi sa kohë edhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojmë një Republikë të KFORit në Veriun e Kosovës! Albin dil nga guaska e vetizolimit dhe mos e humb Veriun duke parë kudo armiq e tradhëtarë! Koha është tani dhe po fluturon!”, shtoi Rama.

Situata në veri të Kosovës dhe marrëdhënia me Serbinë prej javësh është e tensionuar. Më 26 maj, tensionet nisën në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, kur kryetarët e komunave u detyruan të futen në zyrat e tyre të punës me ndihmën e policisë, pasi serbët lokalë i kundërshtonin.

Por gjendja agravoi edhe më shumë kur të mërkurën, 16 qershor, kur tre policë kufitarë të Kosovës u rrëmbyen nga forcat serbe.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania kanë bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës, të arrestuar në veri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA