Nëntë të arrestuarit nga 104 të mbijetuarit e tragjedisë detare të javës së kaluar 47 milje nga porti grek i Pylos në Peloponez, kanë mohuar përfshirjen e tyre në mbytjen fatale të anijes duke deklaruar para hetuesve se nuk janë trafikantë, por përkundrazi, refugjatë, që madje kanë paguar edhe tarifën përkatëse për të shkuar në Itali.

“Ashtu si pjesa tjetër e tyre, ai i mohon akuzat. Ai mohon çdo përfshirje në veprimet lidhur me akuzat dhe pretendon se është i pafajshëm.Pretendon se ishte në varkë me 30-35 bashkatdhetarë egjiptianë. Thotë se u largua nga vendi i tij duke kërkuar një jetë më të mirë në Evropë për shkak të vështirësive ekonomike.”- Athanasios Iliopoulos, avokat i njërit prej të dyshuarve.

Ndërkohë autoriteti i rojës bregdetare greke ka mohuar një reportazh të rrjetit britanik BBC që thekson se peshkarexha në fjalë ka mbetur e palëvizur në vendin e mbytjes për 7 orë dhe në një deklaratë të fundit thuhet se nga çasti kur u zbulua, deri në momentin e mbytjes, anija ka përshkruar në një kurs të qëndrueshëm 30 milje detare drejt Italisë.

Sipas autoriteteve greke, po atë pasdite, një cisternë që lundronte aty pranë iu afrua anijes së peshkimit dhe e furnizoi me ushqim dhe ujë ,siç duket edhe në një video të fundit të publikuar mbrëmjen e së hënës. Më vonë i është afruar edhe një cisternë e dytë prej të cilës trafikantët që drejtonin anijen nuk kanë pranuar ndihmë dhe ushqime. Sipas dëshmive të të mbijetuarve në mediat greke, në anije ka pasur edhe të vdekur nga uria apo etja.

Por trafikantët, sipas autoriteteve kanë refuzuar edhe ndihmën e ofruar nga anija e Rojës Detare greke. Për tragjedinë ka pasur deklarata edhe nga Komisioni Europian.

Theksojmë se prokurori grek ka hapur një hetim për këtë incident dhe është shumë e rëndësishme që të sigurohet një hetim i plotë dhe i vazhdueshëm. Kjo tragjedi thekson nevojën për të punuar me shtetet anëtare të BE-së, agjencitë e BE-së dhe partnerët tanë të vendeve të treta për të luftuar trafikantët që vënë në rrezik kaq shumë jetë.”-Anitta Hiper, zëdhënëse e KE për Çështjet e Brendshme.

Ndërsa kanë shpallur zi kombëtare , autoritetet në Pakistan që kanë arrestuar pas tragjedisë 14 persona me akuzën për trafikim të qënieve njerëzore, vlerësojnë sipas raporteve të tyre se numri i refugjatëve në anije mund të ketë qënë deri në 800 vetë, 310 prej të cilëve pakistanezë, rreth një e treta nga Kashmiri.

Në orët e vona të së hënës janë sjellë në portin e Kallamatës edhe tre trupa të tjerë pa jetë nga vendi i tragjedisë dhe numri i zyrtar i viktimave ka shkuar tashmë në 81. Ndërsa brenda një kampi të rrethuar pranë Athinës, vazhdojnë të vijnë nga shumë shtete të afërmit e personave që konsiderohen të humbur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA