Joshua Kimmich është ëndrra e madhe e Pep Guardiolës. Trajneri spanjoll e njeh mirë yllin e Bayern Munchen, pasi ishte ai që insistoi për afrimin e tij ndërkohë që ndodhej në stolin bavarez (2015).
28-vjeçari është një “xhol”, pasi mund të luajë në qendër të mesfushës, krahun e djathtë të mbrojtës, por kur është e nevojshme mund të luajë edhe në qendër të prapavijës.
Kapiteni i kombëtares gjermane pëlqehet shumë edhe nga Barcelona, por ideja për të punuar sërish me Guardiolën mund ta tundojë të transferohet në Premier League.
Gjithsesi, bindja e Bayern Munchen për ta lënë të lirë dhe arritja e një marrëveshje me kampionët e Gjermanisë, nuk do të jetë një mision i thjeshtë. Sepse te Bayerni e cilësojnë të pashitshëm Joshua Kimmich.
Ndërkohë, tri ditë më parë Jamal Musiala tha këto fjalë në lidhje me mundësinë e largimit të shokut të tij të skuadrës.
“Nuk kam parë lojtar më të uritur sesa Joshua. Ai trishtohet edhe kur humbet në stërvitje. Ka një uri të madhe, ndonjëherë më tepër seç duhet, por të gjithë e admirojnë mentalitetin e tij.
Joshua është një model për lojtarët e tjerë. Ai ka ADN-në e Bayernit. Sigurisht që nuk arrij ta imagjinoj largimin e tij”, deklaroi talenti i Bayernit. /Supersport
Top Channel