Ndërkombëtarët “zbuten” me Kosovën, i kthehen Serbisë: Lironi urgjent policët!

17/06/2023 13:15

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania u bënë bashkë në thirrjen drejtuar Serbisë për lirimin e tre policëve kufitar të Kosovës, për të cilët Prishtina zyrtare pretendon se janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovë nga forcat serbe.

Beogradi vazhdon të insistojë se ndalimi i tyre ndodhi thellë në territorin serb. I dërguari i amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, deklaroi një ditë më parë se e kanë ndjekur “rastin e arrestimit të tre policëve të Kosovës”.

“ Janë dy skenarë, një se ata janë rrëmbyer nga brenda territorit të Kosovës dhe janë dërguar në Serbi, ose ata pa dashje kanë kaluar kufirin ku kanë gjetur veten brenda territorit të Serbisë. Në secilin rast, është e qartë se këta policë nuk kishin qëllim të ishin në Serbi dhe duhet të lirohen”, nënvizoi zyrtari i larte amerikan.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbot, përmes një postimi në Twitter bëri thirrje “për lirimin e menjëhershëm të tre policëve kosovarë, të arrestuar më 14 qershor”. “Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të shmangin masat e njëanshme dhe të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të ulur tensionet”, u shpreh ai.

Mbretëria e Bashkuar përsëriti edhe thirrjet ndaj kryeministrit Kurti që kryetarët e katër komunave veriore të ushtrojnë detyrën nga objekte alternative dhe të largohet njësiti special i Policisë së Kosovës nga ndërtesat e komunave në veri.

Gjithashtu, janë kërkuar zgjedhjet e reja dhe themelimi i Asociacionit. Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, i kërkoi edhe ajo të dy vendeve “të bëjnë gjithçka që është e mundur për të qetësuar situatën në kufi”.

Top Channel