Papa Leoni XIV viziton Argjentinën mes përplasjes me presidentin Milei, varfëria në qendër të vëmendjes
Aliba Bellingham, gruaja që u përfol si partnerja e re e Andrew Mountbatten-Windsor, ka reaguar për herë të parë ndaj lajmeve për një lidhje të mundshme me ish-princin britanik, duke i mohuar kategorikisht ato.
Ajo ka sqaruar se mes tyre nuk ka një marrëdhënie romantike, por vetëm një njohje të hershme dhe interesa të përbashkëta.
Vëllai i vogël i mbretit Charles III është rikthyer në vëmendjen e mediave britanike pas raportimeve se mund të ketë nisur një lidhje të re, nëntë muaj pasi u zhvendos në pronën Sandringham, pas largimit nga rezidenca Royal Lodge.
Gruaja që u përfol si partnerja e tij e re është Aliba Bellingham, një emër i njohur në rrethet aristokratike dhe shoqërore të Anglisë, e apasionuar pas kalërimit dhe motra e ish-deputetit konservator Henry Bellingham.
Sipas revistës “HELLO!”, Aliba ka gjithashtu lidhje të hershme me familjen mbretërore. Kumbara e saj ishte Frances Saint Kidd, nëna e Princeshës Diana. Për më tepër, ajo e njeh Andrew-n që prej fëmijërisë, pasi familjet e tyre kanë pasur marrëdhënie të afërta ndër vite.
Revealed: The impeccably posh ‘turnip toff’ (whose godmother was Diana’s mum) rumoured to be Andrew Mountbatten-Windsor’s new girlfriend https://t.co/aIHXVT9INF
— Daily Mail (@DailyMail) November 7, 2026
Bellingham është fotografuar duke vizituar ish-princin në rezidencën e tij Marsh Farm, në Norfolk, çka nxiti spekulimet për një romancë mes tyre. Megjithatë, në një prononcim për “Mail on Sunday”, ajo mohoi se janë çift, duke shpjeguar se takohen vetëm herë pas here për të biseduar rreth interesave të përbashkëta.
“Ne takohemi këtu e atje dhe flasim për kuajt dhe qentë, pasi këto janë interesat tona të përbashkëta. Shkojmë mirë me njëri-tjetrin. Atij i pëlqejnë shumë kuajt e tij”, u shpreh ajo.
Aliba shtoi se nuk e gjykon Andrew-n për të kaluarën e tij dhe mendon se ai ka gjetur një ambient të përshtatshëm në Norfolk, ku mund të shijojë jetën larg vëmendjes publike.
Ajo hodhi poshtë edhe mënyrën se si lindën thashethemet për lidhjen e tyre, duke thënë se gjithçka nisi pasi një gazetar amerikan mësoi se ajo kishte shkuar për çaj me të.
“Unë nuk jam partnerja e tij, jemi thjesht të njohur. Mendoj se thashethemet filluan kur një gazetar amerikan mësoi se kisha shkuar për çaj me të dhe më pas arriti në përfundimin se dy dhe dy bëjnë pesë”, deklaroi Bellingham.
Edhe vëllai i saj, Henry Bellingham, konfirmoi se familja e tyre ka pasur lidhje të ngushta me familjen mbretërore që në fëmijëri. Ai tregoi se, për shkak të afërsisë me pronën Sandringham, ai dhe motra e tij kalonin kohë duke luajtur me Andrew-n, Princin Edward dhe Princeshën Anne.
“Andrew ishte mik i familjes sime kur ishim fëmijë. Në një farë mënyre, motra ime e ka njohur atë gjatë gjithë jetës së saj”, tha ai.
Ndërkohë, pavarësisht se Andrew dhe Sarah Ferguson nuk jetojnë më së bashku, ata vijojnë të ruajnë komunikimin dhe marrëdhënien e tyre si prindër dhe gjyshër. Një përfaqësues i ish-Dukeshës së Jorkut konfirmoi për “HELLO!” se të dy komunikojnë rregullisht dhe vazhdojnë të jenë të bashkuar në raportin me familjen.
Ish-çifti u bë gjysh për herë të pestë gjatë verës, pas lindjes së fëmijës së tretë të Princeshës Eugenie dhe bashkëshortit të saj, Jack Brooksbank, më 3 gusht në Lisbonë.
Andrew dhe Sarah kanë reduktuar ndjeshëm daljet publike që prej largimit të ish-princit nga Royal Lodge dhe heqjes së titujve të tij, pas reagimeve të ashpra për lidhjet e tyre me Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale.
Sarah Ferguson u fotografua për herë të parë pas disa muajsh në fund të tetorit, gjatë një ceremonie përkujtimore në Londër për ish-partnerin e saj, Paddy McNally. Në këtë aktivitet ajo u shoqërua nga vajzat e saj, Princeshat Beatrice dhe Eugenie, si dhe bashkëshortët e tyre.
Top Channel