Ëndrra e madhe, kalon nga Moldavia e vogël, por vetëm në dukje.
Këtë të shtunë kombëtarja shqiptare, zbret në “Air Albania” përballë Moldavisë në të parën e dy ndeshjeve ku ka detyrim marrjen e tre pikëve, për të vazhduar si duhet misionin madhor për t’u kualifikuar në kampionatin europian.
Shqipërisë së Sylvinhos pas humbjes me Poloninë i duhet fitorja në shtëpi përballë Moldavisë, mision aspak i lehtë, mjafton të kujtosh se ishin moldavët ata që ndalën në barazim Çekinë kryesuese të grupit.
Gjithsesi, është vetë objektivi kualifikim në Europian që nuk lë shteg për gabime, Shqipërisë i duhet të bëjë lojën dhe të marrë tre pikët përballë një kundërshtari që vjen me ambicie për të bërë surprizën e madhe me një fitore në Tiranë.
Shqipëria vjen në këtë takim në një atmosferë pozitive, grupi ka nisur përgatitjet prej thuajse dy javësh, dhe Sylvinho mund të mbështetet te një grup i fortë dhe i plotë, me sulmues që vijnë në formë, duke nisur nga Uzuni njeriu i momentit, mesfushorë me minuta në këmbë, dhe mbrojtës të rregjur në kampionate të forta.
Tekniku brazilian, i njohur si një perfeksionist deri në detaje, prej kohësh ka studiuar kundërshtarin dhe ka gati tashmë planin për të bërë një hap të rëndësishëm drejt Euro Gjermani 2024.
Për të plotësuar tablon, një Air Albania që po shkon drejt mbushjes së plotë me biletat e fundit që janë duke avulluar, për ti dhënë zemër skuadrës dhe konturet e duhura një mbrëmjeje të madhe në dominimin e ngjyrave kuqezi./SuperSport
Top Channel