Kryeministri Edi Rama, në një konferencë të përbashkët bashkë homologun e Hungarisë Viktor Orban shprehu mirënjohjen për qeverinë hungareze dhe mbështetjen që ajo i ka dhënë Shqipërisë për integrimin në BE.
“Vizita e një miku të vjetër dhe të palëkundur të Shqipërisë në të gjitha kohërat. Falë kryeministrit Orban dhe përkushtimit të Ministrit të Jashtëm dhe qeverisë së tij, kemi hyrë në një fazë të re të marrëdhënieve tradicionale, miqësore , tani ekonomike mes Shqipërisë dhe Hungarisë. Kjo vizitë përveçse e një miku të çmuar, është vizitë për të vazhduar në rrugë të re bashkëpunimi. Hungaria është një ndër avokatët më të zëshëm të Ballkanit Perëndimor në be, një nga forcat më progresive në raport me zgjerimin e BE. Hungaria e ka mbrojtur vijimisht procesin e përshpejtimit të integrimit të Shqipërisë ne BE. Jam mirënjohës se kjo mbështetje nuk ka qenë vetëm me fjale por ka qenë një mbështetje e konkretizuar me ekspertë të vënë në dispozicion për qeverinë tonë në të gjitha aspektet ku kemi kërkuar mbështetje dhe në kuadrin e binjakëzimit të fondit të Ballkanin Perëndimor. Ne mbajmë të njëjtën bindje lidhur me interesin e lartë gjeostrategjik, për integrimin sa më shpejt të Ballkanit Perëndimor dje ndjehem mirë kur dëgjoj nga kryeministri i Hungarisë. BE ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, siç ka Ballkani Perëndimor për BE. Është e rëndësishme që ky argument të dëgjohet pa ngurrim nga të gjitha shtetet anëtare. Jam mirënjohës për faktin që Orban ka qenë shtytësi kryesor i investimeve hungareze në Shqipëri. Kemi disa kompani hungareze me të cilat jemi tërësisht të kënaqur për cilësinë e lartë që kanë sjellë dhe njëkohësisht për respektin që tregojnë ndaj vendit, jo thjesht ndaj ligjeve por ndaj nevojave të vendit. Duam të kemi më shumë kompani, kemi folur për të sjellë më shumë investime nga Hungaria në fushën e energjisë dhe turizmit. Turizmi është bërë urë lidhëse mes nesh, turistët hungarezë janë ambasadorët më të mirë në Hungari. Është koha për investime nga Hungaria e cila sot një industri ekselece në turizëm. Ka një ekonomi të turizmit. Shumë mirënjohje për gjithçka, kjo vizitë pason vizitën e presidentes. Konfirmojmë gjendjen e shëndetshme, pozitive të marrëdhënieve mes dy vendeve tona”- tha Rama në fjalën e tij.
Rama e mbylli fjalën e tij duke përmendur mbretëreshën Geraldinë, e cila vinte nga një familje fisnike hungareze.
“Dua të përsëris çka kam thënë në Budapest, Hungaria ka diçka të vetën këtu në Shqipëri se në kohën kur s’mund t’i jepte Shqipërisë mbështetje për në BE, i dha një princeshë që u bë mbretëresha e Shqipërisë. Mbretëresha Geraldinë po të shikon dhe është mirënjohëse në emër të shqiptarëve që ti je këtu.“-përfundoi Rama.
Top Channel