Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë pjesëmarrjes në Forumin e Prespës, pati një takim me Livia Leu, Sekretaren e Shtetit të Federatës së Zvicrës.
Kryeministri Kurti dhe Sekretarja Leu biseduan mbi raportin mes dy shteteve, gjegjësisht marrëdhënieve të shkëlqyeshme bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës. Me këtë rast, kryeministri shprehu falënderimin e tij për përkrahjen e vazhdueshme të Zvicrës ndaj Kosovës.
Sipas një komunikate të Qeverisë, në takim u vlerësua roli i rëndësishëm i mërgatës shqiptare në Zvicër, si urë lidhëse ndërmjet dy shteteve dhe mundësinë që ajo paraqet për zhvillimin ekonomik të vendit.
Lidhur me situatën aktuale në vend, kryeministri riktheksoi kërkesën për lirim të menjëhershëm të tre policëve të rrëmbyer, pasi ky veprim është një akt i agresionit të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës, teksa përsëriti nevojën për deeskalim dhe normalizim të situatës.
Në këtë drejtim, kryeministri Kurti nënvizoi propozimin e tij për deeskalim të situatës në katër komunat në veri të Republikës së Kosovës, të paraqitur ditën e hënë dhe nevojën për zbatim të plotë, të shpejtë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj.
Duke falënderuar Agjencinë për Zhvillim dhe Bashkëpunim të Zvicrës, kryeministri Kurti shtoi që komunat ende kanë nevojë për zhvillim dhe njëkohësisht kërkoi që të ketë edhe më shumë mbështetje në vazhdimësi. Ai gjithashtu falënderoi edhe për kontributin e Zvicrës në KFOR nëpërmjet Sëisscoy.
Në takim, ishte i pranishëm Ambasadori i Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja.
Top Channel