Pas rrëmbimit të tre policëve të Kosovës më 14 qershor, misioni i KFOR-it thotë se ka shqyrtuar vendndodhjen e ngjarjes dhe ka biseduar me përfaqësues të institucioneve në Kosovë dhe të autoriteteve serbe.

Bazuar në të dhënat e disponueshme, KFOR thotë se mbetet e paqartë se ku ndodheshin policët e Kosovës në momentin e arrestimit. Në këtë lokacion, në Bare, KFOR thotë se institucionet e Kosovës ashtu edhe autoritetet serbe kanë përgjegjësi të qarta për t’u koordinuar me KFOR-in.

“Iu rikujtojmë të dyja palëve përgjegjësitë e tyre sipas Marrëveshjes Ushtarako-Teknike ndërmjet Serbisë dhe KFOR-it, si dhe procedurat për koordinim ndërmjet Policisë së Kosovës, përfshirë Policinë Kufitare dhe KFOR-it”- thuhet në komunikatë, raporton KosovaPress.

KFOR gjithashtu nxiton të kujtojë se vendosja e Forcave të Sigurisë së Kosovës në veri të Kosovës kërkon pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it.

“U bëjmë thirrje palëve që t’u përmbahen këtyre marrëveshjeve dhe procedurave për të bashkëpunuar me KFOR-in. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve të përmbahen nga retorika provokuese dhe të shmangin çdo veprim të njëanshëm që mund të përshkallëzojë tensionin në zonë”, vijon komunikata.

KFOR-i thotë se mirëpret të gjitha përpjekjet e komunitetit diplomatik për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe mbështet dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Gjeneralmajor Ristuçia, komandant i KFOR-it, është në kontakt të rregullt me përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të sigurisë në Kosovë, si dhe me përfaqësues të Forcave të Armatosura të Serbisë, Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), OSBE-së dhe komunitetit diplomatik.

Gjatë ditës së sotme KFOR është vënë në shënjestër të kritikave për shkak të mos mbrojtjes së gazetarëve pasi të njëjtit u sulmuan në Leposaviq nga banda kriminale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA